Grupi jemenas Huthi njoftoi sot se forcat amerikane dhe britanike kanë kryer 73 sulme në Jemen, duke vrarë pesë nga luftëtarët e tij.

Në një deklaratë, zëdhënësi ushtarak i grupit, Yahya Saree, tha se “armiku amerikano-britanik, në kuadër të mbështetjes së tij për vazhdimin e krimeve izraelite në Gaza, kreu një agresion brutal kundër Jemenit me 73 sulme”.

Saree tha se sulmet kishin në shënjestër “kryeqytetin Sana dhe rajonet Hudaidah, Taiz, Hajjah dhe Saada”.

Këto sulme çuan në vdekjen e pesë luftëtarëve Huthi dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve, shtoi zëdhënësi.

SHBA-ja dhe Britania kryen sulme me raketa ndaj objektivave të grupit Huthi në Jemen gjatë natës.

Sulmet kishin në shënjestër lokacione të shumta të Huthive në qytetet jemenase të kontrolluara nga grupi i mbështetur nga Irani dhe pasuan një varg sulmesh të grupit në Detin e Kuq ndaj anijeve të destinuara drejt Izraelit.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se ai urdhëroi sulmet “në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të pashembullta të Huthive kundër anijeve detare ndërkombëtare në Detin e Kuq”./aa