Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se ekipet mjekësore të katër qendrave shëndetësore në Tiranë vijojnë të jenë në shërbim edhe gjatë fundjavës dhe orareve të natës për urgjencat pediatrike.

Në një postim në rrjetet sociale Koçiu ndau foton e doktoreshë Elda Kushe dhe infermiere Ada Xhomaqi në Qendrën Shëndetësore nr.6,, të cilat thekson ministrja “bashkë me kolegët e tyre, janë në shërbim të qytetarëve edhe në orët e darkës”.

“Rikujtojmë prindërit se katër qendra shëndetësore me shërbim edhe gjatë fundjavës dhe orareve të natës për urgjencat pediatrike janë: Qendra Shëndetësore nr. 10 në zonën e Oxhakut; Qendra Shëndetësore nr. 8 në sheshin Wilson pranë ish-Bllokut; Qendra Shëndetësore nr. 7 në Laprakë; Qendra Shëndetësore nr. 6 Kombinat”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu i bën apel qytetarëve të drejtohen qendrave shëndetësore për të marrë shërbimin 24/7 pa ndërprerje afër vendbanimit.

Muaji janar është shoqëruar me rritjen e numrit të të prekurve nga virozat e stinës. Në të gjitha qendrat shëndetësore mjekët janë në shërbim të qytetarëve./ata