Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin e kritereve dhe procedurave për përfitimin e statusit të klientit në nevojë në furnizimin me gaz natyror dhe mënyrën e trajtimit të tyre.

Ky vendim përcakton kriteret dhe procedurat për kualifikimin e klientëve në nevojë të gazit natyror dhe përcakton specifikat e furnizimit me gaz natyror për këta klientë, si dhe mbështetjen financiare dhe masa të tjera mbrojtëse përkatëse.

Mbrojtja e klientëve në nevojë të gazit natyror, si një instrument me qëllim të veçantë i mbështetjes financiare  dhe përfitimeve të tjera të përfituara nga një individ në kuadrin e skemës së mbrojtjes sociale të Republikës së Shqipërisë, nuk e parashikon të drejtën për përfitim si një klient në nevojë i gazit natyror, nëse nuk përcaktohet shprehimisht në këtë vendim.

Ky vendim është detyrues për të gjithë pjesëmarrësit në tregun e gazit natyror dhe zbatohet me përpikmëri nga të gjitha organet publike gjatë vendimmarrjes së tyre legjislative, administrative apo rregullatore në kuadrin e kompetencave të tyre, përfshirë masat për mbrojtjen e klientit dhe ofrimin e shërbimeve me standarde të larta në sektorin e gazit natyror.

Sa i përket kritereve për kualifikim si klient në nevojë, në vendim thuhet se, çdo klient familjar me adresë të përhershme në Republikën e Shqipërisë ka të drejtën të aplikojë për statusin e klientit në nevojë të gazit natyror nëse bën pjesë në kategoritë përfituese; Familjet përfituese të ndihmës ekonomike dhe të fondit 6%, familjet që kanë anëtarë “persona me aftësi të kufizuar” (PAK), pensionistët dhe invalidët e punës, të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët.

Në rastet kur klienti është përfitues në më shumë se një prej kategorive, përfiton sipas rregullave të parashikuara në këtë vendim vetëm si një prej këtyre kategorive.

Klientët familjarë e përfitojnë statusin e klientit në nevojë të gazit natyror, sipas termave dhe kushteve të përcaktuara në këtë vendim dhe nëse gazi natyror përdoret si burim kryesor për furnizimin e përhershëm të banesës për ngrohjen apo përgatitjen e ushqimit në banesën ku jeton familja në fjalë. Pajisjet e gazit natyror të klientit familjar lidhen me sistemin e shpërndarjes së gazit natyror përmes pajisjeve matëse të instaluara, në përputhje me dispozitat e akteve ligjore në fuqi. Klienti familjar është pronar, ka vendbanim ose vendqëndrim në mënyra të tjera ligjore në ambientet e banimit ku jeton familja përkatëse.

Të gjithë klientët familjarë, që përmbushin kriteret e kualifikimit kanë të drejtën të aplikojnë nëpërmjet portalit “e-Albania” në njësinë administrative vendore që mbulon territorin ku klienti ka vendbanimin ose vendqëndrimin për marrjen e statusit të klientit në nevojë të gazit natyror.

Sipas vendimit, furnitori që ka detyrimin e shërbimit publik, pas marrjes së njoftimit nga operatori i sistemit të shpërndarjes, jo më vonë se 5 ditë pas regjistrimit të klientit në nevojë të gazit natyror në regjistër nënshkruan një kontratë të re furnizimi me klientin në nevojë të gazit natyror, nëse furnitori dhe klienti në nevojë i gazit natyror nuk kanë një kontratë të vlefshme furnizimi ose njofton klientin në nevojë të gazit natyror në lidhje me kërkesën për t’u pajisur me statusin e klientit në nevojë të gazit natyror, bazuar në kontratën ekzistuese të furnizimit dhe, kur është e nevojshme, vë në zbatim ndryshimet përkatëse në këtë kontratë.

Këshilli i Ministrave bën të ditur ndër të tjera se, ky vendim do t’i shtrijë efektet në momentin e operimit të infrastrukturës së gazit natyror, i cili përmbush kriteret sipas akteve ligjore në fuqi./ata