Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj mori pjesë në takimin rajonal të zhvilluar në Slloveni, mbi bujqësinë organike.

“Me partnerë dhe miq nga Sllovenia, Bullgaria dhe Kroacia në një bisedë mbi bujqësinë organike diskutuam mbi mënyrat për të forcuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e praktikave të mira për prodhim të qëndrueshëm”, informoi Denaj.

Sipas ministres, “Shqipëria ka një mundësi të madhe për të zhvilluar bujqësinë organike në harmoni me objektivin e strategjisë së BE-së, nga ferma në tryezë, dhe objektivin për të arritur 25% të tokës bujqësore dhe bujqësisë organike deri në vitin 2030”.

Denaj theksoi se në vitin 2023 numri i korporatave të certifikuara organike në Shqipëri ka arritur në 151 subjekte duke shënuar, një rritje prej 9.4% krahasuar me vitin e kaluar.

“Së fundmi kemi kaluar në Këshillin e Ministrave projektligjin “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre” i cili organizon rregullat e qarta për produktet organike të prodhuara në Shqipëri, sipas standardeve të BE-së. Zbatimi i këtij projektligji do të ndikojë dhe në rritje të eksporteve të produkteve organike dhe rrjedhimisht përfitime ekonomike për fermerët vendas”, shtoi ajo.

Sipas ministres Denaj, “është shumë e vështirë të fillosh me produktet organike, por është shumë e qëndrueshme në terma afatgjatë sepse tregjet janë të sigurta dhe çmimi është i lartë.

“Gjithçka varet nga fermerët për të arritur këtë objektiv. Patjetër, shoh një rol shumë të rëndësishëm të sistemit tonë arsimor. Ne duhet të mësojmë të rinjtë kudo që të jenë në arsimin profesional. Fillimisht mund të jetë kurrikul e vogël, por më vonë edhe si një model biznesi për të arritur objektivin tonë 25% e tokës e destinuar për këtë qëllim”, shtoi ajo./ata