Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot se “PD ka një koordinim shumë të ngushtë me partnerët strategjikë, me të cilët i bashkojnë objektivat madhorë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.

Në një intervistë televizive, Basha tha se “politikanë të vjetër që nuk janë zgjidhje por janë problemi, pasi e shohin rrugën e reformave në konflikt interesi me interesat e tyre”.

“Ne shihemi sy më sy me faktorin euroatlantik, sepse ndajmë qëllimin më madhor sa i takon Shqipërisë, Kosovës dhe në tërësi të faktorit shqiptar në Ballkan. Ndërsa qeveria aktuale, por dhe patericat e tij para dy javësh amnistuan të korruptuarit, duke i dhënë një sinjal negativ opinionit publik, por dhe SPAK-ut, që ju i hetoni, ne i lirojmë”, tha ai.

Duke folur për marrëdhëniet me Ilir Metën, Basha tha se “na ndan qëndrimi ndaj të ardhmes së Shqipërisë”.

“Ne duam që Shqipëria të ndryshojmë, këta e duan Shqipërinë kështu, me një gjasme parlament, me një gjasme qeveri, me korrupsionin në majat më të larta, me katër pesë oligarkë që kontrollojnë ekonominë, me kontroll total mbi gjyqsorin. Ne duam që kjo të ndryshojë dhe ne besojmë se të njëjtën gjë duan edhe qytetarët, të djathtë apo të majtë”, tha ai.

Basha i konsideroi trillim akuzat e Metës ndaj tij, ndërsa u shpreh se “Ilir Meta vazhdon të ekzistojë politikisht për shkak të trafikimit që i ka bërë votave dhe influencës së demokratëve. Askush nuk ka përfituar politikisht nga Edi Rama në këto 11 vite, më shumë sesa Ilir Meta. Në veçanti Autoriteti i Dosjeve nuk mund të flejë mbi dosjen e spiunit I. M, që e denoncuan vetë. Thirrja ime është e qartë: ose të nxjerrin dosjen, ose t’i kërkojnë falje Ilir Metës”./ata