Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u bëri sot thirrje pedagogëve të bashkohen me protestën e opozitës.

 

Në një postim në rrjetet sociale, Meta u shpreh se, qeveria ka injoruar kërkesën e pedagogëve për rritjen e pagave.

 

“Pedagogët iu rikthyen dje sërish protestës, sepse Qeveria i injoroi kërkesat e tyre për paga dinjitoze dhe rritjen e financimit të kërkimit shkencor në arsimin e lartë. Në vend që të dëgjoheshin, u kërcënuan dhe u intimiduan nga Qeveria e inceneratorëve që arsimin nuk e ka prioritet. Ndërkohë që pedagogët shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon, financimi për kërkimin shkencor është më i ulëti. E kam mbështetur fuqimisht kërkesën e tyre për rritjen e pagave në nivele të krahasueshme me pedagogët e Kosovës”, shkroi Meta.

 

“Nëse nuk përmbushen kërkesat e pedagogëve dhe studentëve, ikja e të rinjve dhe intelektualëve do të vijojë të zgjerojë plagën e shpopullimit, si pjesë e axhendës së “Rilindjes”. Ndaj i ftoj pedagogët dhe studentët t’i bashkohen sot protestës së opozitës! Llogaridhënie për injorimin e kërkesave të pedagogëve dhe studentëve! Bashkë jemi më të fortë”, theksoi Meta.