Kreu i ekipit ligjor të Afrikës së Jugut, John Dugard, tha se libri i Anadolu-t që përmban fotografi që vërtetojnë krimet izraelite në Gaza, i cili u paraqit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), do të jetë “shumë i dobishëm”.

Pas përfundimit të seancave dëgjimore publike në çështjen e gjenocidit kundër Izraelit në Hagë, këshilltarit ligjor John Dugard iu dha libri “Dëshmia" (Kanıt - The Evidence), i cili përmban foto të bëra nga ekipet e Anadolu-t në Palestinë.

Dugard tha se fotot në libër ishin "të tmerrshme", duke shtuar: "Kjo do të jetë shumë e dobishme gjatë rastit tonë".

Cüneyt Yüksel, kryetar i Komitetit të Drejtësisë të parlamentit turk dhe deputet nga radhët e AK Partisë nga Istanbuli, i cili udhëhoqi delegacionin turk në Hagë për të monitoruar procesin gjyqësor, ia paraqiti librin fotografik Dugardit.

Yüksel theksoi rëndësinë e botimit, duke shtuar se fotografitë në faqen e 24-të u paraqitën si provë gjatë seancës dy-ditore që përfundoi sot.

Pjesë e delegacionit ishin edhe Ismail Emrah Karayel, kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE- Türkiye dhe Cahit Özkan, anëtar i Komisionit Kushtetues dhe deputet nga qyteti Denizli.

Fotografitë e Anadolu-t përfshinin foto të momenteve të predhave të artilerisë me fosfor të bardhë që shpërthejnë në ajër gjatë sulmeve ajrore izraelite në Gaza më 10 dhe 11 tetor, si dhe fotografi të fotoreporterit Mustafa Haruf, duke u rrahur nga forcat izraelite në Kudsin Lindor të okupuar.

Vrasje, shkatërrime në Gaza

Izraeli është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar për sulmet pa bërë dallim në Rripin e Gazës dhe veprimet e tij ushtarake që përbëjnë dënim kolektiv.

Izraeli ka nisur sulme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, duke vrarë më shumë se 23.700 palestinezë dhe duke plagosur shumë të tjerë. Rreth 1200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin fillestar të Hamasit.

Në mesin e të vrarëve palestinezë ka të paktën 10 mijë fëmijë dhe 7 mijë gra, sipas zyrtarëve palestinezë.

Rasti i paraqitur në dhjetor nga Afrika e Jugut argumenton se Izraeli ka shkelur Konventën e Gjenocidit të vitit 1948. Afrika e Jugut dorëzoi një dokument prej 84 faqesh në gjykatë, duke detajuar aktet që thotë se përbëjnë gjenocid në Gaza.

Gjykata në Hagë dje dëgjoi argumentet e Afrikës së Jugut, ndërsa sot Izraeli mbrojti veprimet e tij dhe seanca dyditore përfundoi.

GJND-ja me bazë në Hagë është organi kryesor gjyqësor i OKB-së, i themeluar në vitin 1945. Ai përbëhet nga 15 gjyqtarë të cilët zgjidhen për një mandat 9-vjeçar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Gjykata ka një rol për të zgjidhur, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, mosmarrëveshjet ligjore që i janë paraqitur nga shtetet, si dhe të japë opinione këshillimore për çështjet ligjore që i referohen nga organet dhe agjencitë e sistemit të autorizuara të OKB-së./aa