Ndërtimtaria, hoteleria dhe gastronomia janë sektorët të cilat do të preken më së shumti nga emigrimi i qytetarëve të Kosovës drejtë vendeve të Bashkimit Evropian, thotë një raport i ri i Institutit GAP në Prishtinë.

Sipas raportit “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”, i cili u bë me mbi 1 mijë të anketuar, 28 për qind e tyre planifikojnë të emigrojnë në Zonën Shengen në tremujorin e parë të këtij viti, 61 për qind e tyre nuk planifikojnë dhe 11 për qind nuk e dinë.

Anisa Zogaj nga ky institut thotë se Gjermania është destinacioni kryesor i qytetarëve të Kosovës të cilët synojnë të emigrojnë por edhe i atyre që tashmë gjenden atje, qoftë për punë, bashkim familjar ose studime.

“Gjermania është destinacioni kryesor i emigrantëve nga Kosova. Ne vitin e kaluar kemi dalë me një raport ku kemi kuptuar që në Gjermani jetojnë mbi gjysmë milioni kosovarë, pra, persona që kanë sfond migrimi nga Kosova”, theksoi Zogaj.

Blendi Hasaj, po ashtu nga GAP, thotë se nga viti 2012 deri në vitin 2022, sipas statistikave zyrtare, nga Kosova kanë emigruar 338 mijë qytetarë, ose gjithsej 18,8 për qind e popullsisë totale.

Ai thotë se nga mbi 1 mijë të anketuar, 28 për qind e tyre janë shprehur se planifikojnë që të ikin nga Kosova në tremujorin e parë të vitit 2024 dhe ky trend në aspektin afatgjatë do të ndikojë në ekonominë e vendit.

“Nëse na emigrojnë shumë qytetarë nga disa industri te të cilat fuqia punëtore është intensive, kjo do të ndikojë edhe në ndryshimin e strukturës së ekonomisë. Sepse do të kemi një zhvendosje më shumë tek industritë ku kapitali apo makineritë janë faktori kyç në prodhim”, theksoi ai.

Sipas raportit, sektori i ndërtimtarisë do të preket nga emigrimi me rreth 19 për qind, sektori i hotelerisë dhe gastronomisë me rreth 19 për qind, sektori i tregtisë me rreth 18 për qind dhe sektori i prodhimtarisë rreth 13 për qind. Shumica e qytetarëve që pritet të emigrojnë janë ata që kanë kryer vetëm shkollën e mesme.

Sipas Eurostatit, vendet e BE-së çdo vit pranojnë mesatarisht 2 milionë deri në 2,5 milionë imigrantë nga shtetet jashtë BE-së. Në vitin 2022, mosha mesatare e popullsisë së Evropës ishte 45,4 vjeç, ndërsa mosha mesatare e popullsisë imigrante ishte 36,6 vjeç./aa