Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, pas propozimeve të kryeministrit Edi Rama, sot ka dekretuar ndryshimet në kabinetin qeveritar të Shqipërisë.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Begaj ka dekretuar ministrin aktual të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete në detyrën e ministrit të Financave.
Sipas dekretit të presidentit Begaj, Blendi Gonxhja është emëruar ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ministri e krijuar sipas propozimeve të fundit të kryeministrit Rama.
Gonxhja, ka mbajtur më parë postin e Drejtorit të Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë (DPSHTRR) dhe poste të tjera.
Ndërkohë, Begaj ka firmosur edhe dekretin për shkarkimin nga detyra të ministres aktuale të Kulturës, Elva Margariti.
Gjithashtu Rama ka propozuar edhe emërimin e një Ministri Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, duke propozuar në këtë post zv.ministren aktuale të Drejtësisë, Adea Pirdeni, propozim që pritet të dekretohet në vazhdim.
Ndryshimet në kabinetin qeveritar të Shqipërisë u njoftuan disa ditë më parë nga Rama, ndërkohë dekretet për emërimin dhe shkarkimin e ministrave pritet të votohen në seancën e Kuvendit të Shqipërisë dhe pas ceremonisë së betimit, ministrat e rinj marrin zyrtarisht detyrën./aa