Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiyes njoftoi se gjashtë ushtarë turq u vranë në një sulm terrorist në Irakun verior.

“Pesë nga shokët tanë të guximshëm ranë dëshmorë në një përleshje me terroristët që tentonin të depërtonin në bazën tonë në zonën e Operacionit Kthetra-Dryni”, tha ministria në një deklaratë fillestare, duke shtuar se tetë ushtarë u plagosën gjithashtu, tre prej tyre në gjendje kritike.

Të plagosurit u transferuan në spital, thuhet në njoftimin për shtyp, duke shtuar se të paktën 12 terroristë u neutralizuan gjatë luftimeve.

Ministria më vonë njoftoi se një nga ushtarët e plagosur rëndë "u bë dëshmor, pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve të bëra për ta shpëtuar".

Ministria shprehu pikëllimin për ngjarjen, si dhe shprehu ngushëllimet për viktimat dhe u uroi shërim të shpejtë të lënduarve.

"Türkiye do të luftojë deri në fund kundër grupit terrorist PKK"

Zv/presidenti i Türkiyes, Cevdet Yılmaz shprehu ngushëllimet e tij dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

Edhe ministri i Jashtëm Hakan Fidan shprehu ngushëllime për viktimat dhe shpresoi që ushtarët e plagosur të kthehen shpejt në shëndet të plotë.

"Ne do të luftojmë kundër organizatës terroriste PKK brenda dhe jashtë kufijve tanë deri në fund", tha Fidan në X.

Drejtori i Komunikimeve, Fahrettin Altun, dënoi gjithashtu terrorizmin dhe mbështetësit e tij dhe përsëriti vendosmërinë e Türkiyes për të çrrënjosur kërcënimin.

“Nuk do të lëmë gjakun e asnjë dëshmori të shkojë kot”, tha ai.

Türkiye filloi operacionin "Kthetra-Dryni" në prill të vitit 2022 për të shënjestruar vendstrehimet e organizatës terroriste PKK në rajonet Metina, Zap dhe Avasin-Basyan në veri të Irakut, pranë kufirit turk.

Këtij operacioni i paraprinë nga operacionet "Kthetra-Tigri" dhe "Kthetra-Shqiponja" të nisura në vitin 2020 për të çrrënjosur terroristët që fshiheshin në Irakun verior dhe komplotonin sulme ndërkufitare në Türkiye.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK – e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja./aa