Fshati Fushë-Studën në Librazhd, pjesë e Parkut Kombëtar të Shebenikut, i mbuluar nga dëbora ofron një pamje piktoreske për te pasionuarit pas natyrës.

 

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga panorama e Fushë Studënit, në Parkun Kombëtar të Shebenikut, duke e cilësuar atë një prej më të rëndësishmëve si për nga biodiversiteti, po aq edhe si atraksion ekoturistik gjatë gjithë vitit.

 

I kthyer në një prej destinacioneve më të reja dhe më të frekuentuara në vend sa i përket turizmit malor ky fshat t’i ofron të gjitha, ajrin, ujin dhe natyrën e bukur, e cila është kurorëzuar me një liqen që vit pas viti tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Liqeni i Fushë-Studën i rrethuar nga bardhësia e dëborës ka marrë një pamje spektakolare.

 

Fshati Fushë-Studën nga pozicioni gjeografik, pasuritë natyrorë, rekreative, traditat dhe kulturat, mundëson një turizëm të veçantë. Turistët në këtë vend mund të shijojnë peshkim në ujërat malore, ecje sportive, alpinizëm dhe shumë atraksione të tjera që ky vend ofron.

 

Fushë-Studën ndodhet në njësinë administrative Stëblevë në Librazhd dhe është një një ndër atraksionet më të bukura të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë./ATSH