Bashkitë gjatë vitit të kaluar kanë thelluar më tej borxhet, pavarësisht se buxheti i shtetit ju dha në fund të vitit 2.2 miliardë lekë për të shlyer ato.
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave në fund të dhjetorit, pushteti vendor kishte 5.7 miliardë lekë borxhe të pa shlyera, nga 5.4 miliardë lekë që ishin detyrimet në vitin 2022, duke u rritur me 291 milionë lekë.
Shkaqet kryesore për këtë rritje të detyrimeve vijojnë të jenë investimet e bëra nga privati dhe që nuk janë paguar nga pushteti vendor, por po ashtu një peshë të konsiderueshme mbajnë shërbimet e papaguara dhe largimet e padrejta nga puna.
Më konkretisht bashkitë deri në fund të vitit të kaluar kishin 2.2 miliardë lekë borxhe për investime të papaguara, 571 milionë lekë detyrime për shërbimet që kanë marrë dhe 426 milionë lekë janë vendimet gjyqësore ku pjesa më e madhe janë largimet nga puna të punonjësve në mënyrë të padrejtë.
Peshën më të madhe të detyrimeve e mban Bashkia e Tiranës me 1.4 miliardë lekë, por gjendja e saj financiare konsiderohet pozitive për shkak të nivelit të lartë të të ardhurave që mbledh gjatë vitit.
Në vështirësi serioze financiare paraqiten bashkitë Kavajë dhe Vorë, që kanë respektivisht 793 milionë lekë dhe 412 milionë lekë detyrime të pashlyera. Edhe në analizat e bëra për vitin 2022 nga Ministria e Financave këto dy bashki vlerësoheshin në vështirësi financiare. Gjatë këtij viti një tjetër raport do të bëhet mbi gjendjen e tyre, dhe do të merren masa deri tek caktimi i një administratori për ti menaxhuar financiarisht nëse do të jetë e nevojshme.
Po ashtu detyrime të larta kanë edhe bashkitë Durrës, Dibër, Pogradec dhe Kamëz, që kanë në total rreth 1 miliardë lekë borxhe. Krejt ndryshe është situata në bashkitë Kolonjë, Korçë, dhe Shijak që kanë vetëm 500 mijë lekë borxhe në total.
Problemi i akumulimit të borxheve të papaguara është i mbartur që pas reformës territoriale të vitit 2015, ndërsa kryebashkiakët për këtë situatë fajësojnë paraardhësit që në kohën kur vendi ishte i ndarë me komuna. Sipas tyre këto borxhe të merren përsipër nga shteti, pasi nuk mund të lahen me të ardhurat që mbledhin bashkitë.
DETYRIMET E PAPAGUARA TË BASHKIVE
Viti 2022 5,428 mln lekë
Viti 2023 5,719 mln lekë
Diferenca +291 mln lekë
BORXHET SIPAS KATEGORIVE
Investime 2,279 mln lekë
Shërbime 571,3 mln lekë
Vendime gjyqësore 426,5 mln lekë
Kategori të tjera 2,032 mln lekë
DETYRIMET SIPAS BASHKIVE
Bashkia Tiranë 1,429 mln lekë
Bashkia Kavajë 793 mln lekë
Bashkia Vorë 412 mln lekë
Bashkia Durrës 345 mln lekë
Bashkia Dibër 244 mln lekë
Bashkia Pogradec 224 mln lekë
Bashkia Kamëz 200 mln lekë
Bashkia Gjirokastër 1 mln lekë
Bashkia Pustec 0.8 mln lekë
Bashkia Has 0.6 mln lekë
Bashkia Shkodër 0.6 mln lekë
Bashkia Kolonjë 0.3 mln lekë
Bashkia Korçë 0.1 mln lekë
Bashkia Shijak 0.1 mln lekë