Shumica e njerëzve imagjinojnë grupe të vogla njerëzish të zhveshur që jetojnë në kasolle dhe punojnë tokën, por kjo tregon se njerëzit e lashtë jetonin në shoqëri të ndërlikuara urbane, thonë shkencëtarët.

Një qytet i madh antik, i cili ishte fshehur nga bimësia e harlisur për mijëra vjet, u zbulua në lindje të Ekuadorit dhe gjetjet e shkencëtarëve mund të ndryshojnë njohuritë për historinë e njerëzve që jetonin në Amazonë.

Shtëpitë dhe sheshet në zonën Upano ishin të lidhura me një rrjet të madh rrugësh dhe kanalesh, raporton BBC, dhe zona ndodhet nën hijen e një vullkani, gjë që e bën tokën shumë pjellore. Vetë vullkani mund të ketë çuar në zhdukjen e njerëzve që jetonin në qytetin e zbuluar.

Arkeologët kombinuan gërmimet në terren dhe sensorët lazer nga avionët për të zbuluar qytetin e tejmbushur me bimë dhe pyje.

Me njohuritë e mëparshme, besohej se njerëzit në Amazonia jetonin vetëm nomadisht ose në vendbanime të vogla.

“Ky është një vendbanim më i vjetër se çdo vend tjetër arkeologjik që ne njohim në Amazonia. Ne kemi një pikëpamje eurocentrike të qytetërimit, por kjo tregon se ne duhet të ndryshojmë idenë tonë se çfarë është kultura dhe qytetërimi”, tha profesor Stephen Rostain nga Qendra për Kërkime Shkencore në Francë, i cili udhëhoqi hulumtimin.

Antoine Dorison, i cili gjithashtu punoi në zbulimin e qytetit, tha se “mënyra se si shikohen kulturat Amazoniane po ndryshon gjithashtu tani”.

“Shumica e njerëzve imagjinojnë grupe të vogla njerëzish ndoshta të zhveshur që jetojnë në kasolle dhe punojnë tokën, por kjo tregon se njerëzit e lashtë jetonin në shoqëri të ndërlikuara urbane,” tha Dorison.

Qyteti është ndërtuar rreth 2500 vjet më parë dhe sipas arkeologëve njerëzit e kanë banuar deri në 1000 vjet. Është e vështirë për shkencëtarët të vlerësojnë se sa njerëz kanë jetuar atje në një kohë të caktuar, por ata vlerësojnë se duhet të ketë qenë 10,000, nëse jo 100,000 banorë. /tesheshi.com/