Duke iu referuar fushatës ushtarake të Tel Avivit në Rripin e Gazës që ka vrarë mbi 24 mijë palestinezë dhe ka shndërruar pothuajse të gjithë enklavën në gërmadha, ish-presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, , ka deklaruar se Izraeli duhet ta dijë se ka kufij për të drejtën e tij për vetëmbrojtjes.
“Izraeli natyrisht ka të drejtë të mbrohet pas krimeve gjigante dhe të pafalshme të Hamasit më 7 tetor 2023, por ka gjithashtu kufizime dhe ligje ndërkombëtare që duhet të respektohen për vetëmbrojtje”, tha Fischer për agjencinë shtetërore austriake të lajmeve ‘APA’.
“Një nënë palestineze qan për fëmijën e saj të vrarë po aq sa një nënë izraelite qan për të sajin. Kur mendoj për këtë, mendoj se Kombet e Bashkuara (OKB) kanë të drejtë kur bëjnë thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut. Sidomos kur njerëzit, përkatësisht popullata civile, nuk mund të largohen nga Rripi i Gazës”, tha Fischer.
Ish-presidenti austriak tha se votimi i Austrisë kundër rezolutës së OKB-së për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Rripin e Gazës në mes të dhjetorit ishte një gabim.
“Me ‘jo’-në e saj, Austria votoi së bashku me Izraelin dhe SHBA-në, por ndryshe nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra, Suedia, Finlanda, Australia, Zelanda e Re, Kanadaja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian (BE) me përjashtim të Republikës Çeke. Kjo shkaktoi shumë habi dhe pakënaqësi si në Austri ashtu edhe në nivel ndërkombëtar”, tha ai.
Siç theksoi Fischer, rezoluta ishte rezultat i përpjekjeve intensive në kuadër të OKB-së dhe përmbante shumë kërkesa jashtëzakonisht të rëndësishme dhe korrekte.
Izraeli ka shpallur luftë kundër Hamasit pas ofensivës ndërkufitare të grupit palestinez më 7 tetor, që sipas autoriteteve izraelite ka vrarë 1.200 njerëz dhe ka marrë peng 240 të tjerë.
Bombardimet e Izraelit në Gaza deri më tani kanë vrarë mbi 24 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe kanë shkaktuar zhvendosjen e 1.9 milionë nga mbi 2.2 milionë banorët e enklavës. Sulmet gjithashtu kanë çuar në mungesa akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Dje, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus, tha se “njerëzit në Gaza po jetojnë në ferr” dhe “askush nuk është i sigurt” atje./aa