Türkiye dislokoi pesë avionë transporti ushtarak, duke përfshirë dy avionë “A400M”, për të evakuuar qytetarët e saj të mbetur nga Sudani në vazhdën e konfliktit të armatosur në vend, njoftoi ministri i mbrojtjes i vendit, raporton Anadolu.

 

Duke folur në një ngjarje në provincën qendrore Kayseri, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Hulusi Akar tha: “Ne kemi caktuar pesë avionë tanë për evakuimin e qytetarëve tanë të mbetur drejt Türkiyes. Është bërë planifikimi dhe koordinimi i nevojshëm në mënyrë që këta avionë të mund të kryejnë detyrat e tyre. Ne po e ndjekim nga afër procesin”.

 

Duke theksuar situatën e rrezikshme të shkaktuar nga konflikti, Akar tha: “Për shkak të këtyre situatave, ne bëmë një plan me Ministrinë tonë të Jashtme për evakuimin e qytetarëve tanë që jetojnë në Sudan dhe filluam ta zbatojmë atë. Disa nga qytetarët tanë u evakuuan përmes Etiopisë”.

 

“Ne vazhdojmë përpjekjet tona për evakuimin e 210 qytetarëve tanë nga Wadi Sayyidna, në veri të Khartumit, me tre avionë ‘C-130’”, tha shefi i mbrojtjes turke.

 

Gjithashtu, ai tha se dy avionë “A400M” janë ulur në qytetin e Port Sudanit.

 

“Kemi informacione se janë 250 qytetarë. Një prej këtyre avionëve së shpejti do të ngrihet nga Port Sudani për të sjellë qytetarët tanë në shtëpi”, njoftoi Akar.

 

Deri të premten në mbrëmje, evakuimi i qytetarëve turq nga Sudani do të përfundojë, tha ai.

 

Të paktën 460 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 4.000 janë plagosur në përleshjet midis ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake që nga 15 prilli, sipas Ministrisë sudaneze të Shëndetësisë.

 

Një mosmarrëveshje është shfaqur muajt e fundit midis ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në lidhje me reformën e sigurisë ushtarake.

 

Reforma parashikon pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri – një nga çështjet kryesore në negociatat me palët ndërkombëtare dhe rajonale për një tranzicion në një sundim civil dhe demokratik.