Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, ka deklaruar se qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu është e papërshtatshme për të drejtuar luftën në Gaza.
“Shteti i Izraelit ka nevojë për ndryshim tani dhe nuk ka asnjë mundësi të presim më”, shkroi Lapid në platformën sociale X.
“Kjo qeveri nuk di të menaxhojë një luftë dhe po na çon në një krizë të thellë ekonomike që dëmton xhepin e çdo qytetari, si dhe na ka zbarkuar në Hagë”, theksoi Lapid.
Afrika e Jugut ka ngritur një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë duke akuzuar Izraelin për kryerje të gjenocidit kundër palestinezëve në Rripin e Gazës gjatë ofensivës vdekjeprurëse ushtarake. Padia gjithashtu kërkoi masa të përkohshme nga gjykata për të mbrojtur popullin palestinez, duke përfshirë thirrjen për Izraelin që të ndalojë menjëherë sulmet ushtarake.
“Kjo qeveri nuk është e përshtatshme për të menaxhuar luftën dhe Netanyahu nuk është i përshtatshëm për të drejtuar vendin”, tha Lapud.
Kreu i opozitës izraelite tha se partia e tij është e gatshme të votojë pro një qeverie alternative që do të drejtohet nga një kryeministër tjetër.
Thirrjet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Izrael janë shtuar mes kritikave ndaj kryeministrit Netanyahu për dështimin e tij për të pranuar përgjegjësinë për sulmin ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Sondazhet e opinionit të kryera nga mediat izraelite në ditët e fundit thonë se nëse zgjedhjet e parakohshme do të mbaheshin tani, Netanyahu nuk do të mund të formonte një qeveri, ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz, njëherësh anëtar i kabinetit të luftës, konsiderohet si më i mundshmi për të pasur sukses.
Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, duke vrarë të paktën 24.100 palestinezë dhe duke plagosur mbi 60.830 të tjerë.
Sulmi vdekjeprurës ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërkohë, sipas OKB-së, 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa