Autoritetet vendore në Larisa vendosën që një rrugë në këtë qytet të mbajë emrin e Klaudia Alexandra Lata, 20-vjeçares shqiptare që humbi jetën në tragjedinë hekurudhore në Tempi.
Rruga do të jetë në zonën Nea Smirni, afër kishës së Shën Dhimitrit, aty dhe u rrit Klaudia. E reja ishte studente e shkëlqyer e Mjekësisë në Universitetin Aristotelis të Selanikut.
Mësuesit e Klaudias e kujtojnë atë si një nga nxënëset më të veçanta të shkollës, ekselente në të gjitha vitet. E reja humbi jetën pas përplasjes së trenave në Tempi, natën e 28 shkurtit të vitit 2023, duke u kthyer nga Patra në Selanik.
Prindërit e Klaudias në një prononcim për median kujtojnë se si i kërkuan të ndalojë pak ditë në Larisa për t’u çmallur, pasi nuk do të kishte leksione, por Klaudia refuzoi sepse donte të studionte.
Klaudia Lata është një nga katër viktimat shqiptarë dhe ndër rreth 60 të rinjtë që humbën jetën në aksidentin e frikshëm, për të cilin akoma nuk ka asnjë të dënuar nga drejtësia greke.