Shakira foli pas gati një viti nga arritja e zgjidhjes së çështjes së mashtrimit tatimor. Ylli i popit rrëfeu për një gazetë spanjolle, Al Mundo, se ajo zgjidhi çështjen e mashtrimit tatimor kundër vetes për të mbrojtur fëmijët e saj dhe mohoi akuzat.
“E bëra për të mbrojtur fëmijët e mi dhe për të vazhduar jetën time, jo nga frika apo faji”, tha këngëtarja për median.
Autoritetet spanjolle e akuzuan këngëtaren kolumbiane në vitin 2018 për mashtrimin e qeverisë me më shumë se 15 milionë dollarë taksa gjatë qëndrimit të saj në Spanjë nga viti 2012 deri në 2014-ën. Megjithatë, Shakira i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe e ka zgjidhur çështjen përpara se të shkojë në gjykatë.
“Në vitin 2011, doja që marrëdhënia ime me Gerard Piqué të përparonte, i cili në atë kohë ishte i lidhur me Spanjën për arsye pune”, tha Shakira. “Udhëtimi në Spanjë më krijoi shumë komplikime sepse më detyroi të jem larg qendrave të mia të punës. Sa herë që kthehesha, e bëja për të përparuar marrëdhënien, jo për shkak të një ‘vokacioni për të qëndruar’”.
Teksa shpjegoi arsyen e zgjidhjes së çështjes për 7.5 milionë dollarë, ajo tha:
“Dua t’u lë fëmijëve të mi trashëgiminë e një gruaje që i shpjegoi arsyet e saj me qetësi dhe në kohën e saj, kur e konsideronte të nevojshme, jo kur u detyrua. Unë kam nevojë që ata të dinë se unë kam marrë vendimet që kam marrë për t’i mbrojtur ata, për të qenë pranë tyre,” shtoi ajo.
Këngëtarja vuri në dukje se mendonte se ishte koha e duhur për të folur dhe për t’i treguar botës anën e saj të historisë./SyriNet