Dua Lipa, këngëtarja kosovare me famë, së fundmi ka ndarë pikëpamjet e saj për konfliktin aktual mes Izraelit dhe Palestinës gjatë një interviste për Rolling Stone.

Duke folur për situatën, këngëtarja theksoi rëndësinë e shikimit të humbjeve të jetëve njerëzore në Gaza, veçanërisht në mesin e civilëve të pafajshëm.

“Tani për tani, ajo në të cilën duhet të fokusohemi janë jetët e humbura në Gaza, fati i civilëve të pafajshëm dhe humbjet që po ndodhin. Fatkeqësisht, numri i jetëve që kanë humbur flet vetë”, tha Dua Lipa.

Ndaj, ajo kërkoi një zgjidhje paqësore të konfliktit, njëherësh duke bërë thirrje për armëpushim.

Dua Lipa, pos vanitetit të shfrenuar, tipike për figura skenike të botës së muzikës, ka dhe një prirje për t’u përfshirë në mënyrë aktive në rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet globale, duke përdorur ndikimin e saj për të ndezur biseda rreth temave të rëndësishme që prekin komunitetin botëror. Dhe sa i përket konflikteve, ajo i referohet përvojës së mynxyrtë të Kosovës.

“Ndjehem me njerëzit që duhet të largohen nga shtëpia e tyre. Nga përvoja ime e të qenit në Kosovë dhe duke kuptuar se çfarë bën lufta, askush nuk dëshiron të largohet nga shtëpia e tij. Ata e bëjnë këtë për mbrojtje, për të shpëtuar familjen, për t’u kujdesur për njerëzit rreth tyre, diçka e tillë, për një jetë më të mirë. Kështu që unë e ndjej këtë nga afër”, tha ajo, duke mbajtur, gjithsesi në mënyrë të përmbajtur, një qëndrim propalestinez. /tesheshi.com/