Në një goditje të rëndë për qeverinë e kryeministrit britanik, Rishi Sunak, dy nënkryetarët e Partisë Konservatore, Lee Anderson dhe Brendan Clarke-Smith, së bashku me sekretaren private parlamentare Jane Stevenson, kanë dhënë dorëheqjen në shenjë proteste kundër "projektligjit të Ruandës".
Masa vjen si pjesë e një rebelimi më të gjerë nga rreth 60 deputetë konservatorë të cilët mbështesin amendamentin që ka për qëllim forcimin e legjislacionit të emigracionit të propozuar nga qeveria britanike.
Përkundër dorëheqjeve dhe mospajtimeve në rritje brenda partisë, Downing Street mbetet i bindur se "projektligji i Ruandës" do të kalojë në një votim vendimtar të planifikuar për të mërkurën. Ndërkaq, raportet sugjerojnë se të paktën 30 konservatorë mund t'i bashkohen opozitës për të votuar kundër projektligjit dhe ekziston mundësia reale që ai të dështojë.
Ish-ministrat Robert Jenrick dhe Suella Braverman janë në mesin e deputetëve konservatorë që shprehin publikisht gatishmërinë e tyre për të votuar kundër projektligjit nëse nuk bëhen përmirësime.
Rebelimi nxjerr në pah ndarjet e thella brenda Partisë Konservatore, ndërsa edhe nëse qeveria siguron fitore, ajo mund të ketë një kosto politike.
Projektligji i diskutueshëm synon të ringjallë planin e qeverisë për të dërguar disa azilkërkues në Ruandë si pjesë e përpjekjeve për të penguar individët që të kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla.
Në letrën e tyre të përbashkët të dorëheqjes, Anderson dhe Clarke-Smith, shpalosën argumentet e tyre të mëparshme për përfshirjen e "masave mbrojtëse" për të siguruar efektivitetin e legjislacionit.
“Ne mbështetëm amendamentet e rebelëve për projektligjin e Ruandës jo sepse jemi kundër legjislacionit, por sepse si gjithë të tjerët, duam që ai të funksionojë”, thuhet në letër.
Plani i diskutueshëm, i cili synon të dëbojë azilkërkuesit në Ruandë ndërsa kërkesat e tyre janë në procesin shqyrtimit, u shpall i paligjshëm nga gjykata më e lartë e Mbretërisë së Bashkuar, pasi ata erdhën në përfundim se vendi i Afrikës Lindore nuk është vend i sigurt ku mund të strehohen azilkërkuesit.
Qeveria më pas ndryshoi projektligjin, duke theksuar që Ruanda është e sigurt për të strehuar azilkërkuesit./aa