Kryeministri Edi Rama thotë se është takuar me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, McGonigal, i cili është nën akuzë në SHBA, por ky hetim nuk ka lidhje me të.

Duke folur për gazetarët pas takimit me drejtuesit e qarqeve të PS, Kryeministri Edi Rama u shpreh se takimi që ka patur me zyrtarin e lartë të FBI-së nuk e prek atë në raport me hetimin që po bëhet ndaj McGonigal në Shtetet e Bashkuara.

 

“Kjo është një çështje e hetuar nga drejtësia amerikane e cila nuk nxjerr vendime për vrasje pa autorë apo për vrasje nga pakujdesia apo kur vrasjet bëhen nga dritaret e institucioneve shtetërore. Në rastin konkret ka zero akuzë dhe zero lidhje mes çështjes që diskutohet dhe meje apo qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Zero.

Këto janë derivate të keqleximit të këtushëm. Përmendja e emrit si pjesë në një takim nuk ka asnjë lidhje me përfundimet që ka nxjerrë hetimi në SHBA. Pra në SHBA është bërë hetim dhe janë nxjerrë përfundime. Takove një zyrtar të lartë të FBI, po e takova. Takova një zyrtar të lartë të FBI, po e takova, por kjo nuk përbën asnjë arsye për të nxjerrë konkluzione të reja duke parë nga Tirana me dylbitë e politikës së çorodhepsjes së njerëzve dhe të zhurmës për zhurmë, aq më tepër në kushtet kur jemi përpara një fakti të ri dhe tronditës për 21 Janarin dhe kërkesës së ministrit të Drejtësisë dhe PS për të hapur hetimin në Prokurorinë e Posaçme. Dhe kush do të kuptoj e kupton. Sepse unë nuk mund të komentoj asgjë. Të komentoj mbi komente është e kotë. Unë dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë lidhje me përfundimin e hetimit për një çështje dytësore të dalë rrugës, ndërkohë që çështja kryesore është çështje krejt tjetër”, u shpreh Rama.