Qeveria ka miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave projektligji për Arbitrazhin.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u shpreh se projektligji për Arbitrazhin është frut i një pune disavjeçare i ekspertëve por dhe me mbështetjen e ekspertëve të huaj. Ky projektligj ka nisur që me mbështetjen e EURALIS 5 në Shqipëri.
“Ky projektligj ndihmon në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Do krijojë një mjedis pozitiv për zhvillimin e biznesit dhe të investimit në Shqipëri. I krijon mundësi qeverisë të thithë investime qoftë të brendshme qoftë të huaja duke krijuar një impakt pozitiv për biznesin, por dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit. Me këtë projektligj tashmë ne japim mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve qoftë mes shtetit dhe privatit, apo mes privatëve me njëri tjetrin duke u bazuar tërësisht në autonominë e vullnetit të palëve. Është një zgjidhje e shpejtë, eliminon formalitetet, por njëkohësisht përmbush dhe detyrimin që burojnë nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare”, tha Manja./ATSH