Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë Dimitar Kovaçevski se turi i tij ballkanik dhe vizita në Shkup, lidhet me diskutimet që duhet të bëhen në kuadër të mbajtjes të Samitit të Procesit të Berlinit në Shqipëri, në muajin tetor.

 

Rama u ndal dhe te përfundimi i nismës së Ballkanit të Hapur, ku tha se rajonit nuk i erdhi asnjë e keqe nga kjo iniciativë. Sipas tij Open Balkan i dha një shtytje Procesit të Berlinit dhe rriti tregtinë mes vendeve pjesëmarrëse.

 

“Ballkanin e Hapur 1 mijë herë të kthehesha mbrapa një mijë herë do ta bëja. Ballkani i Hapur nuk është një nismë përjashtuese është një nga 72 iniciativat që ka në këtë rajon. Çfarë e keqe ka ardhur nga Ballkani i Hapur rajonit përveç të mirave?! Merrrni shikoni shifrat e tregtisë mes vendeve. Ballkani i Hapur ka bërë që Procesi i Berlinit ka përfituar nga Ballkani i Hapur shtysën. Nuk e kuptoj si ka akoma dyshime kur faktet flasin qartë”, tha Rama.

 

 

Shefi i qeverisë tha se pjesë e diskutimit me kryeministrin maqedonas ishte dhe Samiti i ardhshëm i NATO-s, ku sipas tij tre vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, duhet të jenë të dakordësuara dhe të paraqesin në samit zërin e një rajoni.

 

“Sot është e qartë që BE ka nevojë për ne, sa kemi ne nevojë për BE-në. Tema tjetër është ajo e Samitit të NATO-s, nuk ka dyshime që ne jemi të vijëzuar me lidershipin e NATO-s, por Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia janë tre vende të NATO-s në një rajon jo të qetë dhe duhet të dakordohen që të paraqesim aty zërin e një rajoni”, tha Rama.

 

Ai shtoi gjithashtu: “Qëllimi im është që ky samit të shënojë disa përparime të prekshme që po punojmë me Kancelarinë në Berlin dhe po diskutojmë me Komisionin Evropian në Bruksel. Është një kohë që është bërë shumë e qartë dhe të gjithë kemi dakordësi të plotë se hendeku midis vëndeve anëtare dhe vendeve tona në aspektin e mbështetjes financiare është i pa krahasueshëm me nevojën tonë dhe me domosdoshmërinë që Evropa të jetë më kompakte. Kjo është arsyeja që ne filluam të shtyjmë në këtë drejtim duke bashkëpunuar në mënyrë proaktive me njëri tjetrin si vende dhe në veçanti me Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që të çojmë këtë qëllim të përbashkët”.