Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila bën që euro të jetë valuta e vetme për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme nga 1 shkurti 2024 nuk është produkt i negociatave politike në Bruksel dhe si e tillë nuk ka ndikim në procesin e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.
Bislimi në një reagim të gjatë lidhur me rregulloren e re të miratuar nga Bordi i BQK-së për ndalimin e qarkullimit të valutave jo-euro, tha se secili qytetar që ka vepruar në kundërshtim me këtë “ka qenë në vazhdimësi në anën e shkelësit të ligjit”.
Sipas zv/kryeministrit Bislimi, me këtë vendim, e vetmja gjё qё zvogёlohet fuqishёm, ёshtё hapёsira enorme pёr keqpёrdorim nё emёr tё mbёshtetjes e ndihmave sociale, praktikё kjo, siç tha ai, e perfeksionuar nga sekserёt politikё nё Beograd “tё cilёt pёr secilin dinar qё kanё dёrguar tek familjet e komunitetit serb nё Kosovё, kanё vjedhur 5 sosh”.
“Insistimi që, edhe më tej, transferi i parave përtej kufirit shtetëror të bëhet dhe tolerohet në mënyrë klandestine, me thasë e vetura individuale, e pastaj të shpërndahet përmes zyrave të paregjistruara e të palicencuara, jo vetëm që ngjason në ide të shekullit të 19-të, por edhe synon mbajtjen e qytetarëve përfitues në ilegalitet dhe varësi konstante nga të njëjtët sekserë”, tha zëvendëskryeministri kosovar.
Ndërkaq, sipas partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe vendimi i BQK-së do të pamundësojë që serbët të përdorin dinarin serb në Kosovë, duke thënë se kjo është e barasvlershme me dëbimin e tyre “nga këto zona pa përdorimin e armëve”.
“Pas të gjitha formave të dhunës institucionale që u përdorën kundër popullit serb nga regjimi autoritar i Kurtit dhe që nuk arriti t'i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, ai tani ka vendosur të ndalojë dinarin në Kosovë dhe kështu të kërcënojë drejtpërdrejt mbijetesën fizike të popullit serb”, u tha në një reagim të kësaj partie.
Tutje, Lista Serbe shtoi se ky vendim duhet të jetë alarm për përfaqësuesit ndërkombëtarë që të reagojnë urgjentisht, në mënyrë që ai të mos nisë së zbatuari.
Në veriun e Kosovës qytetarët serb përdorin dinarin serb për të kryer pagesa, po ashtu serbët lokalë që punojnë në institucionet serbe në Kosovë i marrin pagat me dinarë, ndërsa sipas sistemit të Serbisë po me këtë valutë paguhen edhe pensionistët, shtesat për fëmijët dhe ndihmat sociale.
Në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet nëpër shitore dhe objekte tregtare janë me dinarë./aa