Presidentja zvicerane, Viola Amherd, ka hedhur poshtë kritikat e Moskës për samitin e mundshëm të paqes të organizuar nga Zvicra që synon t'i japë fund luftës Rusi-Ukrainë.

Duke folur para gazetarëve në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Amherd theksoi se Zvicra ka qenë gjithmonë në anën e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

“Kur je në anën e popullatës civile, je në anën e duhur”, tha ajo.

Rusia e ka kritikuar vazhdimisht Zvicrën për "braktisjen e neutralitetit të saj" pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, duke thënë se një samit i tillë i paqes do të ishte "i pakuptimtë dhe i dëmshëm".

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili ishte në kryeqytetin e Zvicrës, Bernë, për një vizitë zyrtare, më 15 janar u takua me Amherd.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp, Zelenskyy tha se më 16 janar do të fillonin planifikimin për samitin e paqes me Zvicrën.

Zelenskyy tha se vetëm vendet që mbështesin integritetin territorial të Ukrainës do të ftohen në samit, se Rusia nuk do të marrë pjesë në bisedime dhe se ai shpreson që Kina do të marrë pjesë.

Duke theksuar se Zvicra e mbështet procesin e paqes, Amherd tha: "Konfirmova gatishmërinë e Zvicrës për organizimin e konferencës. Ne ramë dakord që detajet e qasjes së ardhshme do të shqyrtohen në thellësi në mënyrë që ky proces paqësor të ketë sukses"./aa