Gjatë periudhave të ndryshme të vitit, ju mund të kujdeseni rregullisht për flokët. Por koha e ftohtë i dëmton, lagështira po ashtu, ndaj me gjithë kujdesin, majat gjithmonë ndahen në dy pjesë. Gjatë dimrit, ekspertët japin këshilla të ndryshme për kujdesin ndaj flokëve. Produktet natyrale, maska, larje e kujdesshme etj. Ka diçka që duhet ta dini, nëse edhe ju vuani nga dëmtimet e flokëve apo majat e këputura gjatë dimrit.

1. Dermatologët e pranojnë që beteja me kohën e ftohtë është gjithmonë e vështirë. Ajri i lagësht është i dëmshëm, ndaj duhet të bëni më shumë kujdes. Gjatë ditëve të ftohta, për të pasur flokë të shëndetshëm, fillimisht fokusohuni te larja. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm në dimër, por në çdo kohë të vitit për flokë të shkëlqyeshëm. Sa më të gjatë t’i keni flokët, aq më shumë kujdes duhet të keni me larjen.

2. Specialistët këshillojnë që për larjen e flokëve duhet të fokusoheni vetëm te skalpi i kokës dhe jo në maja. Gabimi më i madh që bëjmë më shpesh është mbledhja e flokëve në majë të kokës dhe larja me shampo. Kjo është një mënyrë që çon shumë shpejt në dëmtimin e majave të flokëve, madje ndihmon në copëtimin e tyre. Flokët lërini natyrshëm dhe përqendrohuni në skalpin e kokës më shumë sesa te pjesa tjetër.

3. Një gabim tjetër që po ashtu e bëjnë shumica nga ne është larja me ujë të nxehtë. Në kohën e ftohtë, uji i nxehtë për flokët është një gabim i madh. Uji i nxehtë largon të gjitha yndyrat natyrale, duke ndikuar kështu në tharjen e flokëve dhe më tej këputjen e tyre.

4. Po kaq e rëndësishme është edhe tharja. Në mbrëmje apo në mëngjes, ne gjithnmonë nxitojmë, ndaj edhe i thajmë flokët sapo kemi dalë nga dushi. Tharja e flokëve me tharëse kur ata janë të lagur i dëmton shumë dhe ndikon drejtpërdrejt në tharjen e majave që më vonë këputen. Para se t’i thani me tharëse, mbajini mbështjellë me peshqir 15-20 minuta.

5. Këshilla e fundit që vjen nga stilistët e flokëve është edhe prerja e majave çdo 3-6 muaj, në mënyrë që të eliminoni sa më shumë majat e këputura.