Unioni Ndërkombëtar i Dijetarëve Muslimanë (IUMS) i bëri thirrje “botës së lirë” që të përpiqet për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës përpara Fitër Bajramit.

Krimet izraelite në Gaza përbëjnë gjenocid dhe përfaqësojnë një abuzim serioz, duke shkatërruar të gjitha vlerat njerëzore, tha organizata në një deklaratë.

Deklarata dënon “vrasjen e të pafajshmëve dhe torturimin e fëmijëve, grave, të moshuarve dhe dijetarëve” në Gaza, duke e konsideruar atë “një shkelje të tmerrshme të të gjitha vlerave njerëzore”.

“Ne i bëjmë thirrje botës së lirë që menjëherë dhe urgjentisht të pushojë zjarrin përpara festës së Fitër Bajramit”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, në deklaratë u kërkohet grupeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që “të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ndaluar gjakderdhjen njerëzore në Rripin e Gazës”.

Deklarata gjithashtu bëri thirrje për hapjen e vendkalimeve me enklavën për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga një inkursion ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë 1.200 njerëz.

Mbi 33.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në enklavë nga sulmet izraelite dhe rreth 75.700 të tjerë janë plagosur, përveç shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Lufta izraelite ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme, krahas një bllokade gjymtuese të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa