Ujë 24 orë në Tiranë është një projekt mëse i realizueshëm, falë një sërë investimesh të kryera në këto 8 vite nga bashkia e Tiranës, por edhe investimeve që janë parashikuar në vijim.

 

Në prezantimin e planit strategjik 5-vjeçar të Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj solli ndër mend punën madhore që është bërë vitet e fundit për transformimin e sistemit të furnizimit me ujë të kryeqytetit.

 

Veliaj vuri theksin sidomos në faktin se si u menaxhua një sistem furnizimi, i cili dikur ishte ndërtuar për t’i shërbyer një numri të caktuar banorësh, kurse sot, me ndryshimet demografike dhe rritjen e popullsisë në Tiranë, i njëjti rrjet duhet të furnizonte gjithë kryeqytetin.

 

“Ka shumë njerëz të cilët, me të drejtë thonë: ‘Jemi në vitin 2023, ende do diskutojmë për Tiranën 24 orë ujë?’. Rrjeti i ujit të pijshëm ishte parashikuar t’u shërbente 190 mijë banorëve në mbi 30 vjet, deri kur qeveria e Sali Berishës ia kaloi më në fund bashkive si përgjegjësi – ishte një rrjet, që i shërbente Tiranës së ‘91-‘92-it me zero investime. Tirana që menaxhojmë sot, e krahasuar me Tiranën e vitit 2015, është 29 herë më e madhe si territor. Ne shkuam nga një Tiranë me 42 km2, në një Tiranë 1250 km2, pra po krahasojmë Tiranën 29 herë më të madhe me 6 herë e gjysmë ujë më shumë, krahasuar me një Tiranë 29 herë më të vogël, me vetëm 10% ujë në 24 orë. Kjo do të thotë se përpjekja jonë titanike është shpërblyer. Ajo skuadër që e çoi nga 10% në 65% të qytetit me ujë 24 orë sot – një Tiranë që është 29 herë më të madhe – sigurisht që mund ta çojë edhe 100%, sepse vetëm ata që punojnë mund ta çojnë deri në fund projektin tonë për ujë 24 orë”, nënvizoi Veliaj.

 

Kryebashkiaku përmendi burimin e Gurit të Bardhë, si projektin që do ndihmojë në realizimin e qëllimit për 24 orë ujë.

 

“Tirana ka nevojë dëshpëruese për një burim të ri uji dhe Guri i Bardhë është lajmi më i mirë që kemi sot. Ndaj, jam vërtet i inkurajuar që kemi gjetur financimin dhe dua të falënderoj të gjithë kolegët e AKUM-it dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës”, tha ai.

 

Veliaj kujtoi se, “në kohën e Saliut dhe të Ilirit, kur drejtonin bashkinë e Tiranës, nuk kishte ujë falas, por thjesht e paguanin të tjerët, edhe për ata që nuk e paguanin faturën”.

 

Sot, – shtoi ai, – “faturat paguhen në mënyrë proporcionale për ata që e përdorin, prandaj ndërmarrja e UKT-së është në gjendjen financiare më të mirë që ka qenë ndonjëherë në historinë e saj”.

 

“Sot është një përrallë nga e kaluara; sot ne e dimë që kemi një tubacion që vjen nga pika A në pikën B, kemi ulur humbjet, duke futur sistemin “SKADA”, i cili na tregon realisht atje ku kemi humbje në rrjet. Humbje në rrjet ka në çdo bashki, edhe në bashkinë e Nju Jorkut, edhe në bashkinë e Londrës, por sot jemi në ditën ku kemi humbjet më minimale që ka pasur ndonjëherë UKT-ja”, nënvizoi kryebashkiaku.

 

Veliaj kujtoi se, çmimi i ujit në Tiranë është në fashën më të ulët në vend.