Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar edhe nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, zhvilluan  një bashkëbisedim me të moshuar në Gjitokastër të cilët janë edhe përfitues të shërbimeve mjekësore e paketave shëndetësore falas.

Ministrja Koçiu ka theksuar se “rikonstruksioni i spitalit të Gjirokastrës që fillon brenda këtij viti është plajm i mirë në mozaikun e shërbimeve socio-shëndetësore për më të moshuarit”.

“Këtë vit nis rikonstruksioni dhe me rikonstruksionin do të fuqizohet flota e pajisjeve dhe burimeve njerëzore për të ofruar shërbime akoma më të mira dhe më cilësore për të gjithë qytetarët e Gjirokastrës dhe qarkut në tërësi. Dhe po ashtu për të gjithë turistët apo vizitorët e këtij qyteti të bukur, të cilët do të kenë nevojë për askses në shëndetësi”, tha Koçiu.

Ministrja theksoi se po vijojnë përpjekjet për kujdes shëndetësor në shtëpi për të moshuarit.

Sipas saj, ky shërbim aktualisht ofrohet në 131 qendra shëndetësore, por shtrihet në të gjithë vendin.

“Kemi fishat e diabetit që i ofrojmë falas dhe ka një seri shërbimesh që ofrohen 100% falas. Ne po bëjmë një përpjekje, që për të moshuarit të ofrohet shërbimi në banesë. Çdo lloj nevoje që do kenë të moshuarit, për analiza, vaksina, etj, të bëhen në banesë, jo të qëndrojnë në radhë nëpër qendrat shëndetësore. 131 qendra shëndetësore e aplikojnë dhe jemi duke punuar që ta ofrojmë këtë mundësi në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit”, tha Koçiu.

Të moshuarit vlerësuan përfshirjen e shërbimeve të reja në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës si dhe investimin që do të nisë për rikonstruksionin e kësaj godine.
“Bëra një analizë që në Gjirokastër nuk ishte bërë kurrë, kolonoskopinë. Përkushtimi i mjekut që i madh që bëri gjithçka dhe mua më pëlqu kjo, por u pëlqeu të gjithë gjirokastritëve sepse mendoja sa vete në Tiranë, po shpenzimet etj. Kjo më kënaqi pa masë dhe më entuziazmoi që po bëhet një punë shumë e mirë studiuar dhe me shumë përkushtim”, u shpreh një prej të moshuarve.
Ndërsa një tjetër qytetar duke iu drejtuar ministres Koçiu tha se: “Premtimi që ju bëni për spitalin në rikonstruksion është mendoj unë një vlerësim jo për shëndetësinë në përgjithësi, por për njerëzit që nga fëmija që lind e deri tek ne të moshuarit. Është gjë e veçantë kjo që realizohet”.
“Vuaj nga azma, bronkit azmatik dhe tensioni arterial. Për të gjitha këto sëmundje unë jam i rimbursuar nga shteti. Do ta falënderoj shumë shtetin, sidomos doktoreshën që më ka në ngarkim në spital”, u shpreh një tjetër i moshuar.
Ky takim u mbyll me një tjetër dëshmi nga përfituesit e shërbimeve shëndetësore edhe në banesë.
“Kam gruan. Vijnë dhe më shërbejnë në banesë edhe vaksinën na e kanë bërë në shtëpi, edhe mjekimin na e kanë bërë në shtëpi. Ku e gjen këtë doktoreshë që të shërbejë në këtë mënyrë”, tha ai.
Në të gjitha qendrat shëndetësore, MSHMS ka mbështetur me fisha diabeti falas afro 48 mijë qytetarë përgjatë vitit 2023.
Kjo mbështetje do të vijojë edhe me buxhetin e këtij viti, duke ofruar më shumë kujdes për të gjithë ata pacientë që  vuajnë nga diabetit si dhe vijimi i ofrimit të paketave shëndetësore falas./ata