Rikonstruksioni i pediatrisë së specialiteteve në Qendrën Spitalore Univeristare “Nënë Tereza” është drejt përfundimit.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

“Rikonstruksioni i pediatrisë së specialiteteve në QSUNT është investim i rëndësishëm brenda korpusit spitalor që rrit cilësinë e shërbimit për fëmijët”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu theksoi se “rehabilitimi tërësor i kësaj godine, e cila përmbyll edhe investimin transformues për Spitalin Pediatrik, mundëson rritjen e shërbimeve të specializuara për të vegjlit, kapacitetin e numrit të shtretërve si dhe dhomat e konsultave në shërbim të pacientëve”.

Koçiu shprehu angazhimin për ofrimin e kushteve bashkëkohore, ambienteve moderne si dhe standardeve më të mira për shëndetin e fëmijëve”.

Rehabilitimi tërësor i godinës mundëson përforcimin nga themelet të të gjithë strukturës të Pediatrisë së Përgjithshme, ku janë 120 shtretër dhe përfshihet shërbimi i onko-hematologjisë, dializës, pneumologjisë, etj.

Me përfundimin e punimeve kompletohet i gjithë korpusi i Spitalit Pediatrik në QSUNT./ata