Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj deklaroi gjatë një interviste në medie foli për zhvillimet në aviacionin civil, ku theksoi se numri i pasagjerëve përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, në 2024-ën pritet të shkojë 8.4 milionë pasagjerë.

Et’hemaj po ashtu informoi se brenda këtij muaji nis puna për zgjerimin e pistës në aeroportin e Rinasit, për të mundësuar fluturime transoqeanike.

Paralelisht me punimet në Mars një ekip nga aviacioni amerikan do të jenë në Shqipëri për të certifikuar nga ana e sigurisë aeroportin për linja të tilla.

“Po ecim paralelisht me dy drejtime. Pas pak ditësh nisim punën për ndërhyrjen në pistë e cila nuk do të ketë ndikim në fluturimet ditore. Nga ana tjetër, ana teknike e kritereve do të certifikohen nga një ekip i aviacionit amerikan, i cili do të mbërrijë në pranverë për të parë kushtet dhe kriteret”, tha Et’hemaj

Ai theksoi se parashikohet që në 3-mujorin e parë të vitit 2025 ne nisin fluturimet Tiranë-New-York.

“Parashikimet tona janë që në 3-mujorin e parë të vitit 2025 ne do të kemi fluturimet Tiranë-New-York”, u shpreh Et’hemaj.

Ndërkohë gjatë këtij viti, aeroporti ka pritshmëri se numri i pasagjerëve do të arrijë në 8.4 milion.

Njëkohësisht autoritetet parashikojnë se do të shtohen 4 linja të reja ajrore me minimalisht me 8 destinacione të reja.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mirëpriti 40% më shumë pasagjerë, duke arritur një shifër prej 7 257 574 pasagjerësh në 2023-shin./ata