Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj nënvizoi sot rëndësinë e bashkëpunimit institucional në luftën kundër krimit kibernetik.
Gjatë një seance dëgjimore në komisionin e posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, Karçanaj bëri një kronologji të sulmit kibernetik me të cilin u përball Shqipëria dy vite më parë.
“Nuk ja dalim dot në luftën kundër krimit kibernetik, aq më tepër në luftën ndaj aktorëve që kanë 2 vjet që kanë target Shqipërinë dhe sistemet kibernetike të Shqipërisë nëse jemi vetëm. Dy vjet më parë institucioni jonë u bë i pari që u sulmua nga 4 skuadra shumë të sofistikuara, të mirënjohura që kanë vite që funksionojnë në fushën e krimit kibernetik, të sponsorizuara nga Irani. Ne nuk e kishim idenë fare se në çfarë sulmi ishim ditët e para”, tha Karçanaj.
Sipas saj, masat u morën aq sa ishte e mundur, por ndërkohë synimi ishte inkriptimi i të gjithë serverave dhe fshirja e të dhënave.
“Falë pajisjeve të sigurisë ne bëmë të mundur izolimin. Në momentin që sulmuesit e ndjenë që ne i izoluam synonin të fshinin të gjitha sistemet dhe të dhënat e shqiptarëve. A lidhet kjo me faktin se shërbimet janë të gjitha online? Në fakt edhe sikur shërbimet të mos ishin online sulmi synonte të fshinte të gjitha sistemet e shtetit, edhe sikur qytetarët të shërbeheshin në sportelet fizike. Pra synohej të ktheheshim në epokën e gurit ku shqiptarët të mos kishin asnjë të dhënë”, tha ajo.
Karçanaj theksoi se AKSHI ia doli të izolojë gjithçka dhe në atë moment vetëm 10% e sistemeve dhe të dhënave u arritën të fshihen.
“Ishin momente shumë të vështira. Nuk e kishim idenë fare se kë kishim përballë. Shteti kërkonte të vazhdonte punën e përditshme ndërsa ne vendosëm të ulnim të gjitha sistemet e shtetit sepse nuk kishim bërë asnjë lloj analize ku ishim”, shtoi ajo.
Karçanaj vlerësoi veçanërisht ndihmën e ekipeve të “Microsoft” dhe skuadrës së FBI-së të cilët ndihmuan autoritete shqiptare në përballjen me sulmin kibernetik.
“U përfshi skuadra më e mirë e Microsoft-it dhe me suportin e ambasadës amerikane erdhën fizikisht që të bënin investigimin. Fillimisht e mendonin një nga sulmet ordinere. Erdhën ekspertë amerikanë dhe bashkë me ne filluan analizën e gjithçkaje. Ideja ishte të kuptonim çfarë kishte ndodhur dhe të atribuonim sulmin që kishte ndodhur pranë AKSHI-t. Sërish ambasada amerikane na asistoi me skuadrën më të përgatitur të FBI-së. Ata kanë punuar paralelisht rreth 1 muaj duke dalë ekzaktësisht në të njëjtin përfundim”. tha Karçanaj.
Drejtoresha e AKSHI-t u shpreh se u arrit të rikuperohej 10% e sistemit dhe të dhënave që ishin fshirë.
“Microsoft bashkë me FBI-në arritën në përfundimin se çfarë kishte ndodhur. Ne na kishin sulmuar 4 skuadrat më të zgjuara të Iranit të mbështetura nga shteti Iranian. 4 skuadra që e kishin ndarë shumë mirë rolin e tyre, njëra për të filluar sulmin, tjetra për të lëvizur brenda infrastrukturës sonë, një tjetër sërish për hyrjen dhe e fundit skuadra e zjarrit”, tha Karçanaj./ata