Në tremujorin e parë të vitit 2024, bankat presin të jenë më akomoduese në politikat e kreditimit për zgjerimin e investimeve, si edhe në mbështetjen e ushtrimit të aktivitetit të bizneseve të vogla e të mesme.
Banka e Shqipërisë publikoi raportin e vrojtimit mbi kreditimin, sipas të cilit, “bankat presin që për kreditë e bizneseve në financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, si edhe për kreditë për biznesin e madh, bankat presin të ndjekin një përqasje disi më konservatore për tremujorin e parë të vitit 2024″.
Po ashtu, thekson BSH-ja, standardet e kreditimit priten të shtrëngohen disi edhe në kreditë për individët, kryesisht në ato për blerjen e banesave.
Nga ana tjetër, kërkesa për kredi nga bizneset pritet të jetë më e lartë në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit dhe për çdo lloj qëllimi përdorimi.
Kërkesa për kredi nga individët pritet të jetë po ashtu në rritje, si për mbulimin e nevojave për konsum ashtu edhe për financimin e blerjeve të banesave./ata