Bankat tregtare i mbajtën përgjithësisht të pandryshuara politikat e kreditimit për bizneset në tremujorin e fundit të vitit 2023, duke u pasqyruar në standarde, kushte dhe terma të ngjashëm, për të tretin tremujor me radhë.

Banka e Shqipërisë publikoi raportin e vrojtimit mbi kreditimin, sipas të cilit, “bankat vijojnë të mbeten të kujdesshme në vlerësimin e rrezikut që ato perceptojnë mbi situatën makroekonomike në vend dhe implikimet e mundshme të tij mbi bilancet e bizneseve”.

Megjithatë, thekson BSH-ja, ambienti konkurrues ku bankat veprojnë, vijon të mbetet faktor nxitës në plotësimin e kërkesave për kredi të bizneseve nga ana e bankave.

Përsa i përket kreditimit të individëve, bankat vijuan të ndjekin politika lehtësuese për të katërtin tremujor në radhë.
 
“Bankat lehtësuan standardet e kreditimit, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe ato konsumatore, të nxitura nga një ambient me konkurrencë të lartë, si edhe nga një perceptim për praninë e rrezikut më të ulët lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësve. Megjithatë, në kushtet e normave më të larta të interesit, bankat shtrënguan elementet çmim, nëpërmjet aplikimit të marzheve më të larta në kreditë lëvruar individëve në tremujorin e fundit të vitit. Individët vijuan të shfaqin kërkesë të lartë për kredi edhe në tremujorin e fundit, në linjë me pritjet e bankave për këtë periudhë”, thekson BSH-ja.
 
Sipas BSH-së, kërkesa e shtuar për kredi, për të tretin tremujor radhazi, u manifestua si
në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në ato për financimin e konsumit.
 
Pyetësori i Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues synon të mbledhë opinionin e bankave tregtare
mbi zhvillimet e tre muajve të fundit në ofertën dhe kërkesën për kredi, si dhe pritjet e tyre për tremujorine ardhshëm. Vrojtimi i Aktivitetit Kreditues jep, në mënyrë të përmbledhur, perceptimet e bankave mbi ndryshimet në kushtet e ofertës për kredi-ilustruar nëpërmjet standardeve, kushteve e termave të kreditimit, dhe raportit të kredive të miratuara-si dhe mbi ndryshimet në kërkesën për kredi, si për bizneset ashtu edhe për individët.
 
Kjo analizë bazohet në rezultatet e agreguara nga përgjigjet e të gjitha bankave të sistemit bankar dhe pyetësori, në vija të përgjithshme, ndjek praktikën e ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane (BQE)./aa