Deputetja e Partisë Demokratike, e pranishme në Konferencën për Mekanizmin e Mbikëqyrjes së Investimeve, tha se 22% e investimeve të huaja vjen në ndërtim me burime të paidentifikuara dhe të pakontrolluara.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku bën të ditur se gjatë fjalës së saj ka theksuar se një Shqipëri e fortë do të thotë një rajon i fortë.

“Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për investime të huaja por fatkeqësisht sot 22% e Investimeve të Huaja vjen në ndërtim me burime të paidentifikuara dhe kontrolluara. Këto dhe tjera diskutova në konferencën për Mekanizmin e Mbikëqyrjes së Investimeve  në të cilën pata mundësinë të diskutoja përpara Departamentit të Shtetit mbi Byronë dhe Çështjet Ekonomike në SHBA dhe kolegë të parlamentit mbi rëndësinë e mjeteve dhe mënyrave për të ruajtur sigurinë tonë kombëtare nga sulmet dhe goditjet e furishme të vendeve armiqësore”, tha Tabaku.

“Një nga mënyrat se si mund t’ia arrijmë kësaj është duke implementuar politika dhe forma të testuara në Bashkimin e Europian dhe SHBA për të hetuar me kujdes çdo propozim të huaj që na vjen në sektorët kyç të ekonomisë dhe pasurive tona kombëtare”, shtoi Tabaku.

“Na duhet të mbrojmë ekonominë nga rreziqet e ndikimeve malinje të vendeve jo miqësore. Një Shqipëri e fortë do të thotë një rajon i fortë. Një Shqipëri e suksesshme do të thotë një shoqëri më pranë qëllimeve tona gjeostrategjike”, u shpreh Tabaku./ata