Në Berat ka nisur puna për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “22 Tetori”.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i cili theksoi se “teksa mbyllim detajet e fundit të gjimnazit simbol të qytetit “Babë Dudë Karbunara”, kemi nisur një tjetër projekt ambicioz”.
Godina ekzistuese e shkollës “22 Tetori” do të zëvendësohet nga një godinë krejtësisht e re. Struktura e re moderne, që shkrin brenda saj dhe elemente të traditës, do të ofrojë standardet më të mira për nxënësit.
Shkolla do të ketë salla shumëfunksionale, laboratorë, bibliotekë, dhomën e mjekut, dhomë për nxënësit me aftësi ndryshe, palestër dhe ambientet e saj ndihmëse.
Gjithashtu në shkollë do të ketë ambiente të tjera teknike, si dhe tarracë të gjelbëruar, një tjetër ambient rekreativ për shkollën.
Kryebashkiaku Demo u shpreh se “arkitektura e godinës do të plotësojë ansamblin e qendrës së qytetit që ka dy sheshet e reja, rrugën e rehabilituar dhe shtruar me kalldrëm si dhe gjimnazin e ri “Babë Dudë Karbunara””.
Projekti financohet nga qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe bashkëfinancim të bashkisë Berat./ata