Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se vazhdon procesi i përgatitjes për vizitën në Türkiye të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Peskov bëri deklarata për gazetarët në kryeqytetin Moskë, lidhur me çështjet aktuale.
Duke theksuar se vazhdon procesi i përgatitjes për vizitën e Putinit në Türkiye, Peskov u shpreh se, "Mes Rusisë dhe Türkiyes janë në rendin e ditës dhe po përgatiten takimet e nivelit të lartë. Do të informojmë menjëherë sapo dy liderët të bien dakord mbi datën e vizitës".
Pasi tërhoqi vëmendjen se ushtria ruse në orët e mëngjesit kreu sulm kundrejt qytetit Kharkiv dhe kryeqytetit Kiev të Ukrainës, Peskov tha se kjo nuk është përgjigje ndaj sulmit që ushtria ukrainase kreu në fundjavë në Donetsk që shkaktoi vdekjen e 28 personave.
"Po vazhdojmë operacionin special ushtarak, por ndryshe nga ajo që vepron ushtria e Kievit, ushtria jonë nuk godet objektet sociale, lagjet civile apo civilët. Kjo e bën ushtrinë tonë ndryshe nga ushtria e administratës së Kievit", tha Peskov.
Kujtojmë se 28 persona humbën jetën dhe të paktën 20 të tjerë u plagosën në sulmin e kryer në fundjavë nga ushtria ukrainase ndaj qytetit Donetsk të aneksuar nga Rusia.
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë u bëri thirrje të gjithë qeverive dhe organizatave ndërkombëtare përgjegjëse që të dënojnë këtë sulm.
Edhe Kremlini këtë sulm e dënoi duke e cilësuar si "veprim të tmerrshëm terrorist"./aa