Korporata Elektroenergjitike Shqiptare nis procedurën e gjetjes së një konsulenti financiar për hidrocentralin e Skavicës.

“Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, është aktualisht duke zhvilluar projektin e hidrocentralit të Skavicës. KESH synon që në kuadër të zbatimit/zhvillimit të projektit të marrë shërbime këshillimore financiare nga kompani konsulente financiare-juridike të kualifikuara dhe me përvojë të përshtatshme në lidhje me projektin”, thuhet në ftesën e publikuar në faqen zyrtare të KESH.

Ftesa do të publikohet në një gazetë/revistë ndërkombëtare, e cila ka në fokus editorial çështje ekonomike, tregtare dhe biznesi dhe në gjuhën angleze.

Ndërtimi i HEC-it të Skavicës, është një projekt i hershëm, i cili jo vetëm do të përmbushë kërkesat e tregut shqiptar sa i takon prodhimit të energjisë, por do t’i japë mundësi vendit për t’u kthyer edhe në një eksportues të energjisë së rinovueshme.

HEC-i i Skavicës është një nga projektet infrastrukturore me prioritet më të lartë në Shqipëri, që synon kompletimin dhe maksimizimin e elektro-gjenerimit
të Kaskadës së Drinit. Aktualisht, Shqipëria prodhon mbi 95% të energjisë elektrike nga
burimet hidrike nëpërmjet Hidrocentraleve (“HEC”).

Projekti ndodhet në verilindje të Shqipërisë, afër kufirit me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

HEC-i i Skavicës do të shërbejë si diga e parë në rrjedhën e sipërme dhe rregullatori i tre
hidrocentraleve kryesore ekzistuese në “Kaskadën e Drinit”, në pronësi dhe operim të KESHit.

Duke qenë se qëllimi kryesor i projektit është rregullimi i prurjeve të ujit në rrjedhën e sipërme të HEC-eve ekzistues, ai nuk është i fokusuar në maksimizimin e prodhimit të energjisë dhe prandaj konsiderohet i papërshtatshëm për zhvillim privat.

Vendndodhja e projektit është në rajonin e Kukësit dhe Dibrës, i vendosur në një luginë të
pjerrët menjëherë në rrjedhën e sipërme të rezervuarit ekzistues të Fierzës. Ndodhet 21 km në jug të qytetit të Kukësit (në vijë të drejtë) dhe 26 km në veri të Peshkopisë.

Sistemi i kaskadës për lumin Drin u studiua fillimisht mbi 50 vjet më parë kur u ndërtuan HECet në rrjedhën e poshtme.

Megjithatë, për shkak të kufizimeve buxhetore në atë kohë, projekti nuk u arrit të realizohej. HEC-i i Skavicës është parashikuar gjithmonë si HEC-i rregullues në kaskadë, me një rezervuar që kontrollon prurjet në rrjedhën e poshtme dhe lehtëson përmbytjet vjetore si në Fierzë ashtu edhe në Komani.

Projekti do të zotërohet dhe operohet nga KESH, si kompani publike, përgjegjëse për
prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike në Shqipëri.

Rreth dy vite më parë, në Tiranë u nënshkrua kontrata për fazën e parë të projektit për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, midis Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), si dhe kompanisë “Bechtel”.

Faza e parë e projektit përfshin punën përgatitore për kryerjen e studimeve, atij ambiental, teknik e social, për të kaluar më pas në fazën e dytë që është ndërtimi i HEC-it./ata