Biznesi dhe konsumatorët kanë rritur besimin në ekonominë e vendit dhe pritshmërinë për rritje në një pjesë të mirë të sektorëve.
Banka e Shqipërisë publikoi sot raportin mbi Treguesin e Ndjesisë Ekonomike (TNE) që regjistroi një rritje të ndjeshme me 6.6 pikë në muajin prill, në krahasim me muajin mars. Aktualisht, treguesi i besimit në ekonomi qëndron 13.8 pikë mbi mesataren afatgjatë.
Rritja e TNE-së u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e biznesit të industrisë, shërbimeve, tregtisë si dhe të besimit konsumator, ndërkohë që sektori i ndërtimit regjistroi rënie të lehtë.
Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 3.5 pikë përqindje në muajin prill, i ndikuar nga vlerësimet më optimiste për prodhimin aktual dhe për kontratat porositëse. Niveli i këtij treguesi aktualisht qëndron 7 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për punësimin në të ardhmen janë rritur. Bizneset nuk pritet të ndryshojnë çmimet e tyre në të ardhmen.
Treguesi i besimit në ndërtim ra lehtësisht me 0.7 pikë përqindje në muajin prill, për të dytin muaj me radhë. Megjithatë, ky tregues qëndron rreth 22 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rënia këtë muaj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të ulëta për nivelin e porosive aktuale. Pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rritje.
Treguesi i besimit në shërbime u rrit ndjeshëm, me 8.2 pikë përqindje, në muajin prill. Niveli i tij qëndron pranë vlerave më të larta historike, me rreth 22 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë të tij. Të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit si dhe niveli i kërkesës, kanë regjistruar rritje. Pritjet e bizneseve për punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë gjithashtu me rritje.
Treguesi i besimit në tregti ka shënuar rritjen më të lartë të të gjithë treguesve këtë muaj, me rreth 9.3 pikë përqindje. Kjo rritje e fortë u ndikua kryesisht nga vlerësime optimiste mbi ecurinë aktuale të biznesit. Edhe pritjet për punësimin u rritën këtë muaj. Gjithashtu, pritjet e tyre për ecurinë e biznesit në të ardhmen kanë regjistruar rritje këtë muaj, ndërsa pritjet për çmimet janë më të ulëta.
Treguesi i besimit konsumator u rrit me 3.8 pikë përqindje, duke përforcuar prirjen rritëse të nisur muajin e kaluar. Niveli i tij aktual ka kaluar me 4.6 pikë përqindje mesataren historike. Përmirësimi i treguesit u përcaktua nga të gjitha elementet e treguesit, përkatësisht pritjet e përmirësuara për situatën e përgjithshme ekonomike, situata financiare dhe blerjet në shuma të mëdha (aktuale dhe për të ardhmen)./ata