Nëse ngrohja globale vazhdon me një ritëm të ngjashëm me atë të vërejtur në 20 vitet e fundit, akullnajat e Alpeve zviceriane janë të destinuara të përgjysmohen deri në vitin 2050, duke humbur rreth 46% të vëllimit të tyre, një përqindje që mund të rritet në 65 nëse marrim parasysh trendin e 10 viteve të fundit.
Parashikimi vjen nga studimi i publikuar në revistën ”Geophysical Research Letters” dhe i udhëhequr nga Universiteti Zviceran i Lozanës, i cili zhvilloi simulime shumë të sakta falë algoritmeve të bazuara në Inteligjencën Artificiale.
Në të njëjtën kohë, tërheqja e akullnajave do të lërë të ekspozuara zona gjithnjë e më të mëdha të faqeve shkëmbore, një fenomen që do të rrisë rrezikun e rrëshqitjeve të tokës në afat të shkurtër, megjithëse shkalla e erozionit të maleve alpine është shumë më e ulët se sa ishte 10 000 vjet më parë.
Ndryshe nga simulimet e tjera, të cilat prodhojnë vlerësime që arrijnë në fund të shekullit, studiuesit e udhëhequr nga Samuel Cook i Universitetit të Lozanës u përqendruan në një periudhë më të kufizuar, për të kuptuar më mirë rëndësinë e këtyre fenomeneve tashmë në afat të shkurtër.
Sipas rezultateve të marra, edhe nëse ngrohja globale do të ndalonte plotësisht tani, Alpet do të humbasin të paktën një të tretën e akullnajave të tyre (34%) deri në vitin 2050.
”Të dhënat e përdorura për të ndërtuar skenarët ndalojnë në vitin 2022, i cili u pasua nga një vit jashtëzakonisht i nxehtë. Prandaj ka të ngjarë që situata të jetë shumë më e keqe”, shpjegon Cook./ata