Kryeredaktorët e revistave periodike të Instituteve të Albanologjisë kanë zhvilluar një takim në Kryesinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, për nevojën e një politike të përbashkët editoriale.
Të pranishëm ishin kryeredaktorët e revistave shkencore “Studime filologjike”, “Studime historike”, “Iliria”, “Antropologji”, “Studia albanica”, “Albanian studies”; si dhe të përmbledhësve “Studime për artin”, “Çështje të folklorit shqiptar”, “Dialektologji”, “Candavia”.
Në takim u bënë të njohura shqetësimet e drejtuesve të revistave dhe përmbledhësve, duke nisur prej nevojës së redaktorëve gjuhësorë dhe të përkthyesve, deri tek sigurimi i “open access”.
Akad. Valter Memisha kërkoi vlerësimin e mundësisë së ridaljes së periodikut “Gjuha jonë”, ndërprerë para disa vjetësh.
Akad. asoc. Stefan Çapaliku u shpreh se është e mundshme që “Studime për artin” të ketë statusin e një periodiku vjetor dhe se cilësia e revistave do të jetë gjithnjë në të njëjtin nivel me atë të kërkimit. Të njëjtin mendim shprehu dr. Elio Hobdari për “Candavia-n”, si një tribunë periodike vjetore e profilizuar për raportet mbi rezultatet e ekspeditave arkeologjike, që është dhe një detyrim ligjor.
Akad. Adem Bunguri vlerësoi traditën e konsoliduar të revistës “Iliria”, që ka tashmë edhe praninë e studiuesve të huaj arkeologë, pjesëmarrës në ekspedita arkeologjike të përbashkëta. Prof. dr. Hamit Kaba theksoi se në “Studime historike” tentohet që deri 40 për qind e lëndës të jetë produkt shkencor i historianëve albanologë nga jashtë.
Problemi i ruajtjes së periodicitetit të rregullt si një kusht themelor për indeksim shkencor ndërkombëtar u theksua nga sekretari shkencor i revistës së re “Albanian studies” prof. asoc. dr. Gjon Boriçi. Ndërsa prof. asoc. dr. Mikaela Minga u përqendrua në domosdoshmërinë e aksesit të hapur për të gjitha revistat, duke propozuar ndërtimin e një faqje të numerizuar posaçërisht për to. Këtij mendimi iu përmbajtën edhe kolegët Çapaliku, Hobdari e Lelaj.
Një problem që kërkon vëmendje të posaçme është profilizimi i revistave me të njëjtin emër në dy gjuhë: “Studia albanica”, që del prej 60 vjetësh, dhe “Albanian studies”, një revistë e re albanologjike.
ASHSH njofton se një këshillim i dytë do të bëhet deri në fund të këtij muaji./ata