Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur lidhur me prioritetet në fushën e mbrojtjes në kuadër të prioriteteve të Qeverisë së Kosovës për vitin 2024, ka deklaruar se edhe gjatë këtij viti qeveria do të vazhdojë bashkëpunimin ndërkombëtar me miq, partnerë dhe aleatë.
Kurti në mbledhjen e kabinetit qeveritar tha se në vitin 2023 buxheti për mbrojtjen ishte më i larti ndonjëherë me mbi 200 milionë euro apo më shumë se 2 për qind e bruto produktit vendor, që është edhe kriter i NATO-s, ndërsa edhe në vitin 2024 investimet në këtë fushë do të vazhdojnë.
“Numrin e ushtarëve e rritëm. Investimet në armatim po ashtu. E ushtrinë e pajisëm edhe me dronë luftarakë ‘Bayraktar’. E tash në këtë vit, në përputhje me miratimin e buxhetit në fund të vitit të kaluar, rritja e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë prioriteti i parë i Ministrisë së Mbrojtjes. Për një fillim të mbarë të vitit, në fillim të këtij viti ne morëm konfirmim nga Departamenti Amerikan i Shtetit se pranuan kërkesën tonë për të blerë sistemin raketor antitank ‘Javelin’ ”, theksoi Kurti.
Më tej, Kurti tha se sa i përket sigurisë, viti 2023 ka qenë sfidues, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka buxhetin më të lartë ndonjëherë për 2024, sivjet për prioritet do ta ketë shtimin e kapaciteteve infrastrukturore, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe investimet në pajisje operacionale të Policisë së Kosovës.
Sa i përket punëve të jashtme të qeverisë, kryeministri Kurti tha se Kosova kaloi me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ndërsa anëtarësimi i plotë në këtë organizatë mbetet ndër synimet kryesore.
“Viti 2024 ka filluar si është më së miri. Pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, njohjes së pasaportës nga Spanja, e dekretit për hapjen e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan, dje morëm edhe njoftimin zyrtar se nga 22 shkurti qytetarët tanë do të mund të udhëtojnë pa viza edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Të gjitha këto forcojnë subjektivitetin tonë ndërkombëtar”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, duke përmendur kandidaturën e suksesshme të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, kryeministri kosovar tha se sivjet ndër top objektivat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë ligji i veçantë, komiteti organizativ dhe master-plani për të mirëpritur 26 shtete në 23 disiplina, mijëra atletë e dhjetëra mijëra turistë, me mbi 250 milionë euro investime./aa