Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Israel Katz, ka deklaruar se Tel Avivi do të vazhdojë luftën në Rripin e Gazës deri në lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Duke folur para një takimi me sekretarin e jashtëm britanik, David Cameron, Katz e quajti ofensivës e Gazës si një “luftë të domosdoshme” kundër Hamasit dhe boshtit iranian.

“Ne nuk do të ndalemi deri në lirimin e të gjithë pengjeve tanë dhe çmontimin e kapaciteteve ushtarake dhe civile të Hamasit, në Gaza dhe në çdo vend”, shkroi Katz në platformën sociale X.

Sot, Cameron mbërriti në Izrael në kuadër të një turneu në Lindjen e Mesme, që përfshin Bregun Perëndimor, Katarin dhe Türkiyen, me qëllim për të nxitur një pauzë të menjëhershme humanitare të luftimeve në Rripin e Gazës.

Izraeli nisi një ofensivë në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, duke vrarë të paktën 25.700 palestinezë.

Në sulmin e Hamasit, nga ana izraelite, besohet se janë vrarë rreth 1.200 persona dhe gati 136 pengje besohet se mbahen nga Hamasi.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), sulmi izraelit ka shkaktuar zhvendosjen brenda vendit të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërkohë më shumë se gjysma e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa