Qeveria miratoi vendim që përcakton numrin e punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2024, për njësitë e qeverisjes qendrore
Sipas këtij vendimi, pagesa për emërtesën “Punonjës arkivi (DPA)”, kryhet nga institucionet përkatëse, pas miratimit të listëprezencës dhe shënimeve përkatëse të titullarit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Punonjësit me kontratë në funksionin “Specialist” paguhen, në përputhje me kategorinë e pagës së funksionit të ngjashëm organik, të përcaktuar në strukturën e institucionit, por, në asnjë rast, kategoria e pagës së tyre në institucionet e pavarura dhe aparatet e ministrive nuk kalon nivelin IV-2 dhe në institucionet në varësi të institucioneve qendrore nivelin IV-3.
Punonjësit me kontratë në funksionin “Operator EDRMS” paguhen, në përputhje me kategorinë e pagës së funksionit “Operator”, sipas vendimit të KM-së.
Në mbështetje të nevojave për përballimin e emergjencave të paparashikuara shëndetësore si dhe për programet e depistimit, të miratuara nga situata e pandemisë, 100 punonjësit shëndetësorë dhe të tjerë mbështetës alokohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë pranë Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (Operatori) pranë stafit organik të spitaleve Covid-19 dhe Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Pagesa për pozicionin e punës në të cilin caktohen punonjësit bëhet përkatësisht nga Operatori dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore.
Rregullat përjashtimore për punësimin e punonjësve në funksionin “Specialist” në Kryeministri janë: Kohëzgjatja e punës është 8 orë përgjatë gjithë vitit buxhetor; Niveli i pagës për këta punonjës është kategoria IV-1.
Mbulimi i efekteve financiare për punonjësit me kontratë bëhet nga shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin përkatës të njësive të qeverisjes qendrore. Për punonjësit me kontratë të Shtëpisë së Pushimit Durrës (MB), Shtëpisë së Pushimit të SHISH-it dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, efektet financiare përballohen nga të ardhurat e vetë institucionit.
Ngarkohen për hartimin e rregullave të veçanta për punësimin dhe veprimtarinë e punonjësve të përkohshëm, përkatësisht,: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për punonjësit shëndetësorë dhe punonjësit socialë, të kontraktuar në institucionet shëndetësore; Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për funksionin “Punonjës shërbimi”;Agjencia Kombëtare e Bregdetit për funksionin “Specialist”.
Ngarkohen ministritë dhe institucionet të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve me kontratë, kategorinë përkatëse të pagës dhe burimin e financimit të tyre.
Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi fillojnë pas hyrjes në fuqi të tij. Për punonjësit, të cilët kanë lidhur kontratë në vitin paraardhës, puna e të cilëve nuk është ndërprerë dhe për të cilët është bërë regjistrimi në sistemin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, efektet financiare fillojnë më 1 janar 2024.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./ata