Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku diskutoi në parim shtesat dhe ndryshimet në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

E ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishte Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, Zerina Bruci, e cila u shpreh se kjo nismë ligjore synon të pasqyrojë ndryshimet e ndodhura në fushën e librit duke iu përgjigjur aktualitetit, zhvillimeve teknologjike dhe të digjitalizimit në fushën e botimeve.

“Gjithashtu synon të reflektojë ndryshime në terminologjinë juridike dhe të nxisë aksesin e librit në çdo formë duke parashikuar jo vetëm kategoritë e veçanta, por duke garantuar gjithashtu aksesin përmes shpërndarjes së kopjeve të detyruara jo vetëm në Bibliotekën Kombëtare por në të gjitha institucionet e tjera publike në Republikën e Shqipërisë”,u shpreh Bruci.

Më tej, Bruci nënvizoi se përmes këtij projektligji synohet promovimi i librit dhe produkteve të përafërta me të në Shqipëri dhe jo vetëm në territorin e vendit, por edhe promovimi i librit shqip jashtë Shqipërisë.

“Gjithashtu projektligji synon përfshirjen e grupeve të interesit në Këshillin Kombëtar për Librin dhe nxitjen e leximit. Ky ndryshim sjell një risi në përbërjen e këtij këshilli pasi do ketë katër ekspertë të fushës. Kjo qendër do luajë rolin e sekretariatit tekniko-administrativ të këtij këshilli”, nënvizoi ajo.

Pas prezantimit të projektligjit nga përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës, zv/kryetarja  e komisionit, Evis Kushi njoftoi se në vijim, komisioni do të ketë një seancë të veçantë për relatorët e çështjes, pyetje dhe diskutime në parim, seancë dëgjimore me grupet e interesit dhe më pas diskutimi nen për nen dhe në tërësi i projektligjit për të marrë miratimit final të kësaj nisme ligjore./ata