Afati për ligjin e investimeve strategjike, i cili përfundoi më 31 dhjetor 2023 pritet të zgjatet edhe 3 vite të tjera, deri në dhjetor të vitit 2027.
Kjo është propozuar nga deputeti socialist Eduard Shalsi në Kuvend mbrëmjen e 24 janarit 2024.
“Duke qene se interesi i subjekteve është ende shumë i lartë për të ketë paketë ligjore dhe fluksi dhe stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10-vjeçarin e fundit, me qëllim shmangien e krijimit të këtij boshllëku ligjor, si dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij, është menduar zgjatja e afatit te paraqitjes së kërkesave deri ne datën 31 dhjetor 2027”, thuhet në relacionin që i bashkëngjitet ndryshimeve në projektligjin e firmosur nga deputeti i PS-së Eduard Shalsi.
Propozohet që vlera minimale e një projekti të propozuar për t'u kualifikuar si investim potencial strategjik të jetë mbi 50 milionë euro, në sektor ose të krijoje minimalisht 300 vende pune.
Njëkohësisht, nëse subjekti synon proceduren e veçantë në çdo sektor vlera e investimit te jetë e barabartë ose me e madhe se 100 milione euro ose investimi të krijojë minimalisht 500 (peseqind) vende te reja pune.
Pra konkretisht
-Investitorët/projektet qe do te përfitojnë statusin "Investim/investitor strategjik, procedure e asistuar duhet te plotësohen kriteret me poshtë:
Vlera e investimit të jetë e barabartë ose me e madhe se 50 (pesëdhjete) milionë euro;
ose ii. investimi krijon, minimalisht 300 (treqind) vende te reja pune; ose
iii. investimi synohet te realizohet ne zona me prioritet zhvillimi;
Për investitorët/projektet qe do të përfitojnë statusin "Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë ",duhet të plotësohen kriteret më poshtë;
i. vlera e investimit te jete e barabarte ose me e madhe se 100 (njeqind) milione euro; ose ii. investimi krijon minimalisht 500 (peseqind) vende te reja pune.
Ligji për investimet strategjike i cili u miratua në vitin 2015 dhe parashikon një lehtësi për bizneset që aplikojnë për investime dhe marrin statusin e investitorit strategjik. Afati i tij përfundoi në dhjetor 2021, por u shty nga Kuvendi për në fund të vitit që lamë pas dhe tani kërkohet të shtyhet edhe për 3 vite të tjera.
Ligji i mëparshëm u njihte statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investonte më shumë se 5 milionë euro dhe punësonte 80 punëtorë.