Baza Ajrore taktike e Kuçovës, e cila pritet të nisë punën zyrtarisht më 4 mars, pritet të sjellë dhe një risi për flotën e Forcave të Armatosura shqiptare, dronët Bajraktar TB2.

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, zv.komandanti i Forcave të Armatosura  Shqiptare, Kolonel Luan Sadiku, bëri të ditur se rikthimi në forcë i bazës ajrore taktike të Kuçovës e cila do të jetë në shërbim të aleancës së NATO-s, është një xhevahir për forcat ajrore të Shqipërisë dhe rajonin.

“Më datë 4 mars bëhet inaugurimi i bazës ajrore të Kuçovës, pas një insistimi dhe pas një pune intensive të zinxhirit të komandim-kontrollit që prej vitit 2013. Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar dhe projektuar në detaje, sipas kërkesave të NATO-s dhe ka kapacitet mbajtës të njëhershëm 6 avionë reaktivë dhe 2 avionë transporti”, theksoi Sadiku.

Sipas tij, “operimi në bazën ajrore të Kuçovës, do të bëhet nga personeli i Forcës Ajrore, Personeli fiks i Bazës Ajrore të Kuçovës dhe personeli i NATO-s. Po ashtu, në vijim do të ketë edhe personel shtesë që do të vlerësohet në një fazë tjetër, sipas nevojave”.

Kolonel Luan Sadiku tha se baza ajrore e Kuçovës, është përzgjedhur mes dhjetëra bazave të tjera ajrore të NATO-s, pasi ka pozicionin gjeostrategjik tejet të favorshëm në detin Mesdhe.

“Kjo bazë është përzgjedhur ndërmjet dhjetëra bazave ajrore  të NATO-s të tjera për t’u ndërtuar, projektuar dhe për të funksionuar si një bazë ajrore taktike. Kjo duke nisur nga pozicioni gjeografik, kushtet atmosferike dhe pozicioni gjeostrategjik, që ofron mundësi të shkëlqyer për mbështetjen e forcave të NATO-s në të gjitha operacionet në krahun juglindor të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kjo bazë është përzgjedhur në vitin 2013 dhe në atë moment nuk kishte konflikt as në Izrael, as në Rusi, por gjeostrategjia që ofron kjo bazë ajrore mbulon të gjithë këtë spektrum”, tha Sadiku.

Ai shtoi se kjo bazë është një xhevahir për forcat ajrore të Shqipërisë. “Kjo bazë do të ofrojë kapacitete maksimale për operimin e sigurtë të mjeteve ajrore të Shqipërisë, mbështetje logjistike edhe të NATO-s në raste angazhimi dhe do të jetë një pikë reference për të gjitha Ballkanin Perëndimor” tha Sadiku.

“Baza e Kuçovës u ndërtua në vitin 1936 për uljen e avionëve italianë. Në vitin 1955 u bë bazë operacionale e Forcës Ajrore Shqiptare në kuadër të traktatit të Varshavës. Pas një periudhe fjetjeje, tashmë kjo bazë ajrore vihet në dispozicion të NATO-s”, tha Sadiku.

“Së shpejti në inventarin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë do të jetë dhe kapaciteti ajror i dronëve “Bayraktar TB2”. Kjo do të thotë se Forcës Ajrore Shqiptare, do t’i shtohen kapacitete mbrojtëse në ajër”, theksoi Sadiku, ndërsa një demonstrim i dronëve pritet të bëhet edhe në bazën ajrore të Kuçovës të hënën.

Më 20 dhjetor 2022, Shqipëria firmosi marrëveshjen me Turqinë për blerjen e dronëve ‘Bayraktar’ TB2.  Droni është një mjet ajror luftarak pa pilot i prodhuar nga kompania turke e teknologjisë Bayraktar. Tre njësitë e para hynë në shërbim me Forcat e Armatosura Turke më 29 gusht 2021. Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij./ata