Teksa gjendja e vështirë e palestinezëve në Rripin e Gazës po përkeqësohet çdo ditë e më shumë nën sulmin shkatërrues izraelit, hashtagu #GazaStarving (Gaza e uritur) është bërë trend në platformat e mediave sociale me video që shfaqin njerëz të uritur duke ngrënë ushqim për kafshët, ndërsa në pjesën tjetër kafshë që copëtojnë kufomat e dekompozuara të njerëzve nëpër rrugë.

Vetëm brenda pak ditësh, hashtagu #GazaStarving ka pothuajse 5 milionë ndërveprime në platformën X, ndërsa në platformat e tjera të mediave sociale, duke përfshirë Instagram dhe TikTok, hashtagu përdoret gjithashtu gjerësisht për të theksuar urinë dhe vuajtjet palestineze.

#GazaStarving vë në pah frikën në rritje të shfaqjes së urisë në Gaza, ndërsa raportime filluan të shfaqen në mediat sociale që tregonin palestinezët duke bluar ushqimin e kafshëve për shkak të mungesës së grurit dhe bukës.

Disa video shfaqin palestinezë të uritur duke ngrënë ushqim kafshësh, ndërsa nga ana tjetër macet dhe qentë copëtojnë kufomat e njerëzve në rrugë.

Veprimet çnjerëzore të ushtrisë izraelite vazhdojnë, duke mos respektuar trupat e pavarrosur të dekompozuar të palestinezëve në qytetin jugor Khan Younis dhe duke i penguar njerëzit t'i mbledhin ato nga rrënojat, thanë dëshmitarët okularë për Anadolu të mërkurën.

Dëshmitarët okularë thanë se disa palestinezë u kthyen në zonat nga ku forcat izraelite ishin tërhequr për të gjetur trupat e të dashurve të tyre, duke përfshirë fëmijë dhe gra, të cilët po përpiqeshin të iknin nga qyteti Khan Younis në Rafah në jug të largët, por ishin në shënjestër të tankeve izraelite.

Ata thanë se ambulancat transportuan disa prej këtyre trupave në Kompleksin Mjekësor Nasser në qendër të qytetit, por kur tanket izraelite hapën zjarr ndaj të gjithë të pranishmëve në zonë, mjekët e ndihmës u detyruan të iknin.

Disa prej kufomave kanë filluar të dekompozohen dhe pjesë të tyre janë ngrënë nga macet dhe qentë, thanë ata.

Disa video që përdorën hashtagun treguan palestinezët duke ngrënë bukë të bërë me foragjere.

Sipas reporterit të Anadolu-t në pjesën veriore të Gazës është hasur se ushqimi i kafshëve po shitej në tregje për konsum njerëzor pasi mielli i grurit ishte në mungesë.

OKB-ja kishte paralajmëruar se 2.2 milionë njerëz në Rripin e Gazës, nën sulmet intensive izraelite, janë në rrezik nga uria.

Teksa Izraeli lejon disa kamionë me ndihma humanitare në Rripin e Gazës, këta kamionë shpërndahen kryesisht në zonat jugore, ndërsa zonat veriore të Gazës mbeten të privuara për shkak të rrethimit izraelit.

Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor, që sipas autoriteteve izraelite besohet se vrau 1.200 persona.

Që atëherë, sipas autoriteteve palestineze në Gaza, të paktën 25.700 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe 63.740 të tjerë janë plagosur.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërkohë më shumë se gjysma e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa