Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, përshëndeti vendimin e përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për çështjen e gjenocidit kundër Izraelit, duke i përshkruar masat e përkohshme të nxjerra si "të vlefshme".
“Unë e shoh të vlefshëm urdhrin e përkohshëm të marrë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në lidhje me sulmet çnjerëzore në Gaza dhe e mirëpres atë", u shpreh presidenti Erdoğan në X, duke shtuar:
"Ne do të vazhdojmë të ndjekim procesin për të siguruar që krimet e luftës të kryera kundër civilëve të pafajshëm palestinezë të mos mbeten të pandëshkuara".
Komentet e tij erdhën pasi GJND-ja urdhëroi Izraelin që "të marrë të gjitha masat brenda fuqisë së tij" për të parandaluar gjakderdhjen e mëtejshme në Gaza në përputhje me detyrimet e Konventës së Gjenocidit. Gjykata kërkoi gjithashtu lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve.
“Ne shpresojmë që ky vendim, i cili është i detyrueshëm për vendet pjesëmarrëse në Konventën e Gjenocidit, do të çojë në përfundimin e sulmeve pa dallim të Izraelit kundër grave, fëmijëve dhe të moshuarve”, tha Erdoğan.
Ai u shpreh se Türkiye do të vazhdojë të punojë me të gjitha forcat drejt një armëpushimi, paqeje të përhershme dhe do të qëndrojë pranë palestinezëve.
Afrika e Jugut ngriti rastin për gjenocid kundër Izraelit në GJND në fund të muajit të kaluar dhe i kërkoi gjykatës të jepte masa urgjente për t'i dhënë fund gjakderdhjes në Gaza, ku më shumë se 26 mijë palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori.
Gjykata gjithashtu urdhëroi Izraelin të marrë masa "të menjëhershme dhe efektive" për të mundësuar ofrimin e shërbimeve bazë të nevojshme urgjentisht dhe ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, por nuk urdhëroi një armëpushim./aa