Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, brenda vitit synohet që të hapet praktika e dyfishtë në spitalet që morën sot certifikatën e autonomisë menaxheriale.
Në aktivitetin për autonominë menaxheriale për QSUNT dhe 4 spitale rajonale, ku mori pjesë dhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, Rama u shpreh se, “sot hyjmë në një kapitull të ri, falë edhe faktik që spitali Memorial i Fierit shërbeu për të pilotuar autonominë menaxheriale dhe brenda vitit synojmë që të hapim në këto spitale që do të marrin certifikatën e autonomisë menaxheriale edhe praktikën e dyfishtë”.
“Pra që mjekët, të cilët punojnë në këto spitale dhe që janë të dëshiruar dhe janë të kërkuar nga qytetarët për të ofruar shërbim përtej orarit të punës të shfrytëzojnë spitalin, të shfrytëzojnë të gjithë aparaturat dhe kushtet e spitalit për të ofruar një shërbim ekstra, i cili është një shërbim me pagesë, ku 70% të pagesës do t’i marrë mjeku dhe 30% do t’i mbeten spitalit”.
“Në këtë mënyrë hyjmë më në fund në Evropë, në kuptimin e konceptimit të sistemit publik, si një sistem ku mjekët nuk janë rrogëtarë, ku mjekët nuk janë të detyruar të shohin majtas-djathtas dhe të gjejnë mënëyra sesi të ikin nga puna për të shkuar tek privati për të shtuar diçka në rrogën e tyre, po ku të gjithë mjekët paguhen me një rrogë dinjitoze dhe pastaj çdo mjek që mund të punojë më shumë dhe që kërkohet nga qytetarët për t’u shërbyer atyre mund të punojë dhe jashtë orarit dhe të paguhet drejtpërdrejtë nga kjo praktikë”, tha Rama.
“Kjo është njëra anë. Ana tjetër është që në momentin pasi të kalojmë të gjithë procesin e nevojshëm të nxjerrjes së të gjitha kostove, protokolleve, të gjitha atyre proceseve që duhen për autonominë financiare, përmes autonomisë menaxheriale, atëherë në momentin kur spitalet do të kalojnë në autonomi të plotë, jo vetëm menaxheriale, por edhe financiare, do të kenë në dispozicion ata fondet dhe do të vendosin ata, si të ishin një strukturë e pavarur sesi do të shpenzohen fondet, se cilat sasi të cilave medikamenteve do të porositen dhe në të njëjtën kohë sesi do të shpërblehen ekstra nga të ardhurat e spitalit mjekët, sipas një protokolli shumë të qartë”, u shpreh Rama.
Pra, theksoi Rama, “jo vetëm praktika e dyfishtë, por edhe rritja së brendshmi e shpërblimit të mjekëve në bazë të meritës, do të bëjnë që interesi për të punuar në spitalet publike të jetë gjithmonë e më i lartë, konkurrenca të jetë gjithmonë e më e fortë, pastaj kushdo që të shkojë në Gjermani të na marri të keqen”./aa